Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi këtë të premte me 10 vota pro Mirela Bogdanin si kryetaren e re të KLP-së.

Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme për të marrin drejtimin e këtij institucioni të drejtësisë. Teksa prezantoi platformën para anëtarëve të KLP-së, Bogdani tregoi ambicien për të rritur kapacitetet logjistike, për të reformuar sistemin gjyqësor dhe rritur bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

 

Zgjedhja e Bogdanit vjen pas largimit të ish-kryetarit Alfred Balla nga sistemi i drejtësisë me 15 vite, sipas vendimit të marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Një javë më parë, KLP vendosi që në respekt të vendimit të KPA të miratojë shkarkimin Ballës.

Bogdani gjatë paraqitjes së platformës tha se qëllimi kryesor i punës së saj do të jetë vijimi i punës për forcimin dhe rritjen e besimit të publiku tek drejtësia.

Ajo evidentoi se reforma në drejtësi po jep rezultate. Për Bogdanin, me rëndësi është që rruga e nisur nga drejtësia e re të jetë e pakthyeshme edhe si pjesë e rrugës së Shqipërisë së integrimit në BE.

“Besoj se reformimi i sistemit gjyqësor mund të realizohet i plotë vetëm nëpërmjet përfshirjes dhe bashkëpunimit. Kandidimi vjen në kohën kur reforma në drejtësi ka krijuar shtratin e saj dhe tashmë synon rritjen e eficensës dhe konsolidimin e praktikave të mira të krijuara deri tani të të gjithë institucioneve të arkitekturës së re të sistemit të drejtësisë, në frymën e standardeve evropiane dhe atyre ndërkombëtare, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek drejtësia dhe vijimin e pakthyeshëm të procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, aty ku gjeografikisht përkasim historikisht dhe tashmë po kërkojmë të përafrohemi edhe me vlerat njerëzore dhe institucionale të tij”, tha Bogdani.

Sipas saj, “duke besuar në një reformim dhe përmirësim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm të sistemit së hetimit, në reflektim të zhvillimeve të teknologjisë së informacionit, të dinamikave të shoqërisë njerëzore, si dhe të standardeve që lidhen me dhënien dhe menaxhimin e drejtësisë në rajon, në vendet e BE dhe në botë, lista e objektivave nuk është shteruese, në kuptimin që do të paraqesë veprimtaritë dhe shtyllat kryesore ku mund të ndërhyhet dhe arrihen rezultate në kushtet aktuale, me synimin që këto do të jenë një gur i fortë themeli për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh Bogdani.

“E shikoj rolin e drejtuesit të këshillimit me shumë si rol koordinues. Dua të them se është shumë e rëndësishme fryma e bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtare”, bëri të ditur Bogdani.

“Do të vijoj ndërkohë bashkëpunimin me te gjitha institucionet e drejtësisë dhe koordinimin me Prokurorinë e Përgjithshme për përmirësimin dhe garantimin e akteve ligjore dhe nënligjore. Edhe procedurat për rekrutimin e nëpunësve civilë. Bashkëpunimi me KLGJ për shkëmbimin e eksperiencave, për ndryshimet ligjore. Bashkëpunimi me ILD për çështje që lidhen me procedime disiplinore dhe Shkollën e Magjistraturës për rritjen e kapaciteteve dhe trajnimeve”, tha Bogdani.

“Fokus ka plotësimi i kuadrit ligjore, e lidhur me rregulloren e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve në shkallën ë parë. Synohet të bëhet një rishikim i rregullores për të vijuar me vlerësimin e prokurorëve, një kërkesë e BE dhe një parakusht për zhvillimin e karrierës së tyre, ka pasur pengesa, kërkon burim e njerëzore, kalkulim të mirë të të dhënave”, vijoi Bogdani.

“Çështje tjetër qe e kam përmendur, është sistemi i menaxhimit të çështjeve. Është kompetencë që lidhet më shumë me Prokurorinë e Përgjithshme, por do doja që këshilli të ofrojë asistencën, sistem që regjistron çështjet penale deri në momentin që shkojnë në gjykatë. Është në proces dizenjimi i këtij programi, do ofroja mbështetjen maksimale”, tha Bogdani.

“Në fakt, deri me tani KLP nuk ka patur përfaqësimin e duhur, dhe është e vështirë te gjesh institucione për të bashkëpunuar. Vetëm duke koordinuar punën, mund të arrijmë te performojmë me mire. Fokus tjetër, rritja e transparencës në KLP. Vlerësoj punën e deritanishme te Këshillit dhe te kolegëve. Aty ku ka vullnet, gjendet mënyra për ta kryer punën”, përfundoi Bogdani./ata