Dikur krenaria e turizmit shqiptar, sot godina e ish “Turizmit të Ri” të Kukësit është drejt rrënimit të plotë. Ndërtesa e projektuar nga arkitektja e parë shqiptare Valentina Pistoli, u përurua në mesin e viteve ’80 si investimi i fundit i Albturizmit Shqiptar në sektorin e turizmit në vend.

“Dega e turizmit në Kukës u hap në vitin 1981 dhe varej nga Drejtoria Qendrore e Turizmit në Tiranë,”  kujtoi Muharrem Mezini, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Kukës në vitet ’80-’90.

“Në këtë kohë, hotel “Gjalica” iu kalua degës së turizmit si njësi akomodimi për turistët e huaj,” shtoi ai.

Sipas Mezinit, në vitet ’80, nuk mund të flitej për ndonjë përvojë në fushën e turizmit, pasi vetë politika e kohës nuk e konsideronte këtë sektor të domosdoshëm, aq më pak prioritar. Edhe pas viteve ’80, turistët që vinin në Shqipëri ishin kryesisht grupe të vogla biznesi, gazetarë ose vizitorë të rrallë.

“Deri në vitin 1988, kur filluan të vinin grupet e turistëve nga Kosova, numri i tyre ishte rreth 3,600 turistë në vit, ndërsa në vitet 1989-1991 vinin rreth 36 mijë turistë në vit në shkallë vendi,” theksoi Mezini.

Duke pasur parasysh rritjen e numrit të turistëve në fund të dekadës 1980-1990, sidomos pas ardhjes së turistëve nga Kosova në Kukës, u ngrit kërkesa për ndërtimin e një ambienti të ri hotelier bashkëkohor dhe të përshtatshëm për këtë qëllim.

Pas miratimit të fondeve nga Drejtoria Qendrore e Turizmit, në vitin 1988 filloi ndërtimi i Turizmit të Ri, në vendin e quajtur “Kodra e Hazirëve”, një pikë dominuese në hyrje të Kukësit, mbi Liqenin e Fierzës, në një pamje piktoreske dhe tërheqëse.

“Gjatë periudhës së ndërtimit të Turizmit të Ri të Kukësit, dërguam edhe një grup pune në Kosovë, nën drejtimin e drejtorit të ri, Osman Shehu, për të marrë përvojë në fushën e turizmit, pasi Kosova, si pjesë e ish-Jugosllavisë, ishte shumë përpara Shqipërisë në këtë fushë,” kujton Mezini.

“Kjo na dha një ide më të plotë dhe një përvojë të vyer, sidomos për arredimin e hotelit, në përputhje me kushtet dhe kërkesat e kohës,” shtoi ai.

Në vitin 1989 ishte shtruar nevoja për një komunikim më të afërt dhe të drejtpërdrejtë midis Shqipërisë dhe Kosovës për interesa reciproke. Në atë kohë Kosova ishte pjesë e republikës së Serbisë, brenda federatës Jugosllave. Në Kukës u krijua Dhoma e Tregtisë Kufitare, e cila filloi komunikimin e grupeve të punës nga të dy vendet në shumë fusha, kryesisht në atë të turizmit, duke sjellë grupe të organizuara turistësh nga Kosova. Turizmi i Ri i Kukësit kishte një numër punonjësish prej 250 vetash. Objekti përfundoi në maj të vitit 1990, ndërsa përurimi i Turizmit të Ri të Kukësit u bë në qershor të po atij viti. Në periudhën pas vitit 1988, numri i turistëve që akomodoheshin në Kukës arrinte në rreth 2 mijë turistë në vit, ose rreth 3,500-4,000 netë qëndrimi.

“Për nga cilësia e akomodimit, pajisjet e kohës, projekti, ambientet e jashtme dhe shërbimi, Turizmi i Ri i Kukësit konkurronte pa frikë me hotelet më të njohura në vend,” tha Mezini, ndërsa shtoi se krahas hotelit ‘Dajti’ në Tiranë dhe turizmit të Beratit, ai ishte krenaria e turizmit shqiptar të kohës.”

“Është për të ardhur keq që sot, pas 32 vitesh, gjithë ajo punë e bërë për t’i shërbyer turizmit në Kukës është thuajse e pavlerë,”  u ankua ai. “Ndërtesa është lënë në mëshirë të fatit dhe është braktisur,” konstatoi Mezini.

Kujtim Shehu, një nga ish-drejtorët e degës së Turizmit të Kukësit, e drejtoi këtë sektor pas vitit 1992, vit kur paraardhësi i tij Osman Shehu u emërua ministër i Turizmit në qeverinë e parë të ish-kryeministrit Aleksandër Meksi. Kujtimi kujton se Turizmi i Ri i Kukësit kishte fituar famë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufijve, në Kosovë dhe në vendet e Europës Perëndimore e Veriore.

Ai kujton se çdo fundjavë vinte një autobus me grupe vizitorësh nga Kosova, me rreth 40 persona. Disa nga dhomat e Turizmit të Kukësit prenotoheshin nga çiftet e reja, kryesisht nga Tirana, që vinin në Kukës për muaj mjalti.

“Këto çifte i privilegjonim, duke u ofruar mëngjesin bashkë me personelin me gjysmë çmimi,” kujton Shehu. “Në kohën kur unë drejtoja Turizmin e Kukësit, aty u zhvillua edhe Kongresi Botëror i Mineralogjisë, ku morën pjesë specialistë nga e gjithë bota,” shtoi ai.

“Në periudhën e verës organizonim shëtitje me anije në liqenin e Fierzës, ku turistëve u shërbehej dreka në anije,” përfundoi Shehu.

Sazan Deda, një kamarier që shërbeu për 15 vite në Turizmin e Kukësit, kujton se në hotelin e vjetër, apo hotelin “Gjalica”, vinin kryesisht turistë nga vendet perëndimore.

“Çdo javë prisnim turistë nga Gjermania apo Holanda, por edhe nga Danimarka,” tha Deda. “Kur kishim turistë, mobilizohej i gjithë stafi për të siguruar pastërtinë dhe rregullin në nivelin e duhur,” shtoi ai.

Foto:Ambiente të brendshme të Ish hotel-turizmit të Kukësit

Deda kujton gjithashtu se ka shërbyer, mes të tjerëve, edhe ish-udhëheqësit komunist Ramiz Alia dhe amerikanëve të parë që erdhën në Shqipëri në vitin 1990, kongresmenëve Tom Lantos dhe Joseph Dioguardi. Dy kongresmenët vizituan Kosovën më 27 maj të vitit 1990, të shoqëruar nga një grup aktivistësh të komunitetit shqiptaro-amerikan. Pas vizitës disa ditore në Kosovë, delegacioni vizitoi Shqipërinë dhe udhëtoi përmes pikës kufitare të Morinit për në Tiranë më 30 maj të vitit 1990.

Këta ishin zyrtarët e parë amerikanë që vizituan Shqipërinë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në gjatë kohës së Enver Hoxhës. Në takimin me kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, kongresmeni Lantos hodhi idenë për hapjen e një ambasade amerikane në Tiranë, e cila u realizua rreth 9 muaj pas kësaj vizite.

Gjatë rrugëtimit për në Tiranë, dy kongresmenët dhe personat që i shoqëronin ndaluan për të drekuar në Kukës.

“Na njoftuan se do të vinin amerikanë për të drekuar dhe të gjithë ishim kuriozë,” tha Deda, duke shtuar se “amerikanët i imagjinonim si jashtëtokësorë, për shkak të propagandës së shtetit komunist.”

Deda kujtoi se u caktua t’u shërbente atyre sepse kishte mbaruar gjimnazin dhe fliste anglisht, por edhe sepse mbante mirë uniformën, për të cilën kujdesej e ëma, që ishte rrobaqepëse. Ai kujton se kishte shumë emocione, por për fat nuk iu desh të komunikonte në anglisht, pasi kongresmenët shoqëroheshin nga një grup shqiptaro-amerikanësh që bënin edhe rolin e përkthyesit.

“Ne në shkollë na përsëritnin shpesh thënien e udhëheqësit komunist Enver Hoxha se ‘imperializmit amerikan, sikur edhe një dhëmb t’i mbetet, është agresiv’, por dy kongresmenët i kishin të gjithë dhëmbët dhe ishin shumë paqësorë e të dashur,” shtoi ai.

Deda kujton gjithashtu darkën e prishur që ishte shtruar për nder të udhëheqësit komunist Ramiz Alia në maj të vitit 1983. Ramiz Alia ndërmori një turne vizitash në Dibër, Kukës dhe Tropojë në pranverën e vitit 1983, dhe zakonisht në këto vizita shtrohej edhe një darkë zyrtare.

“Çdo gjë ishte gati dhe darka sapo kishte filluar kur u fikën dritat,” kujton Deda, duke shtuar se mungesa e energjisë elektrike shkaktoi “rrëmujë, panik dhe shumë lëvizje.” Për fat të mirë, garda që shoqëronte Ramiz Alinë kishte gjenerator.

“Kur u ndez gjeneratori dhe u kthyen dritat, pashë Ramiz Alinë të kapur për krahu dhe të rrethuar nga truproja të shumtë,” tha Deda. “Megjithëse u kthyen dritat, Ramiz Alia u largua shpejt nga garda dhe organet e sigurimit, dhe darka u prish,” kujton ai, duke shtuar se të nesërmen u mor vesh se Ramiz Alisë i ishte bërë një tentativë atentati në Krumë dhe më vonë u shkrua se fikja e dritave kishte lidhje me këtë ngjarje.

Kamarierët e Turizmit të Kukësit mobilizoheshin edhe në rrethet fqinje si Dibra dhe Tropoja, por edhe në Tiranë e Durrës, ku organizoheshin darka qeveritare dhe darka zyrtare për nder të delegacioneve të huaja.

“Turizmi i Kukësit kishte fituar emër për gatimin dhe shërbimin,” kujton Osman Bela, ish-kryekamarier në Turizmin e Kukësit gjatë viteve 1980-1990, i cili aktualisht jeton dhe punon prej vitesh në SHBA.

“Disa herë jam mobilizuar për të shërbyer në Peshkopi dhe Tropojë kur kishte darka qeveritare, por edhe në Tiranë dhe hotelin ‘Adriatiku’ në Durrës, kur vinin delegacione të huaja dhe shtroheshin dreka dhe darka për nder të tyre,” shtoi ai.

Megjithatë, Turizmi i Ri i Kukësit nuk rezistoi gjatë pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në Shqipëri. Pas vitit 1995, dega e turizmit u fut në proces likuidimi për shkak të vështirësive financiare, të shkaktuara edhe nga pretenduesit e truallit ku ishte ndërtuar, të cilët bënin presion duke vendosur çelësin në derën e godinës disa herë.

Me iniciativën e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, si i deleguar i qeverisë në Kukës gjatë krizës së refugjatëve kosovarë në pranverën e vitit 1999, Turizmi i Ri u rihap. Hoteli dhe restoranti rifilluan punën, ndërsa një pjesë e ambienteve u përdorën nga UNHCR-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare që vepronin në Kukës.

Pas largimit të këtyre organizatave dhe kthimit të refugjatëve në Kosovë, Turizmi u mbyll përsëri, pasi pretenduesit e truallit i vunë sërish çelësin. Ish-prona e Albturizmit Shqiptar, e cila në vitin u 1999 u mbyll përfundimisht, sot është drejt shembjes së plotë. Kjo godinë ka mbetur si një “fëmijë i lindur jashtë martese,” që askush nuk pranon ta njohë.

Në vitin 2003, me vendim qeverie, ndërtesa iu dha bashkisë së qytetit, me qëllim që ajo të përdorej për zyra. Por, pavarësisht këtij vendimi, bashkia nuk e ka përdorur asnjëherë dhe nuk është kujdesur fare për të, as për mirëmbajtjen e saj. Ndërkohë, dosja e Turizmit të Kukësit që prej vitit 2010 ndodhet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si kompensim për ish-pronarët, pasi dy herë ka dështuar përpjekja e Ministrisë së Ekonomisë për ta shitur.

Foto:Ndërtesa e Turizmit në Kukës

“Hotel Turizmi i Ri është pronë e Ministrisë së Ekonomisë. Bashkisë iu dha për përdorim për zyra, që nuk kanë qenë të nevojshme,” tha për BIRN kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halili. “Me sa kam dijeni, ka interes nga 4-5 persona për ta blerë, por pengesë është pronësia e truallit,” shtoi ai.

Ndërkohë, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thonë se dosja e Turizmit të Ri të Kukësit ndodhet në Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), ku është vënë në dispozicion për t’u përdorur si kompensim për ish-pronarët. Megjithëse kanë kaluar 15 vjet që nga koha kur kjo dosje është në ATP, nuk është gjetur ende një zgjidhje për ndërtesën.

“Vlera e objektit në kohën kur dosja ishte në Ministrinë e Ekonomisë ishte 80 milion lekë,” tha Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. “Nëse Turizmi i Kukësit shitet, paratë do të kalojnë në buxhetin e shtetit përmes Ministrisë së Ekonomisë,” shtoi ajo.

Në lidhje me pretendimet e pronarëve të truallit ku është ndërtuar Turizmi i Ri i Kukësit, në Ministrinë e Ekonomisë sqarojnë pretendentët për pronarë të truallit nuk kanë ndonjë vendim pronësie.

“Ata vërtet kanë pasur shtëpi në truallin ku është ndërtuar Turizmi, por kanë marrë shtëpi në qytet, njëjtë siç ka vepruar pushteti i asaj kohe me banorët e Kukësit të vjetër që u përmbytën nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës,” përfundoi Ministria./BIRN