Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha sot se projekti “Të orientuar drejt suksesit”, i zbatuar nga qendra “Be the Change” dhe i mbështetur financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, u zhvillua në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër.
Qëllimi i këtij projekti ishte të informonte dhe fuqizonte të rinjtë përmes aktiviteteve të larmishme, duke përfshirë sesione informuese, workshop-e interaktive, tryeza të rrumbullakëta, filma të shkurtër mbi tema sociale dhe një platformë online.
Objektivat kryesorë të projektit ishin: Matja dhe vlerësimi i nevojës për informacion që kanë nxënësit e klasave të 10-ta mbi orientimin në karrierë dhe tregun e punës, përmes një pune kërkimore rigoroze; Informimi dhe forcimi i kapaciteteve të të rinjve për t’u orientuar në karrierë, përmes seminareve dhe trajnimeve; Ndërgjegjësimi dhe nxitja e psikologëve dhe mësuesve për rëndësinë e këshillimit në karrierë me nxënësit, përmes tryezave të rrumbullakëta.
“Pas 11 muajsh plot sfida dhe përkushtim, të rinjtë u shprehën se projekti pati një ndikim të rëndësishëm duke i ndihmuar ata të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur dhe të orientuar drejt suksesit”, u shpreh ministrja në postimin në rrjetet sociale.
Orientimi në karrierë është busulla që drejton të rinjtë drejt një të ardhmeje premtuese është dhe misioni i këtij projekti./ata