Përgjatë dy viteve të fundit, turizmi, hyrjet dhe strukturat akomoduese kanë qenë kryefjala në vendin tonë. Kjo për shkak të shifrave gjithmonë në rritje dhe fluksi të lartë të hyrjeve në Shqipëri duke shënuar edhe rekorde. Shifrat më të fundit të “Institutit të Statistikave” e konfirmuan këtë tendencë, duke raportuar një rritje me 9.6% të hyrjeve gjithsej vetëm në tre muajt klasikë të verës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Scan Intel”, ashtu si më parë, do t’i sjellë shifrat ndryshe duke marrë në analizë numrin e hyrjeve dhe daljeve në vendin tonë përgjatë Qershorit, Korrikut dhe Gushit. Të dhënat nga INSTAT këtë vit kanë treguar që edhe daljet nga territori i Shqipërisë kanë qenë shumë në numër. Gjatë tre muajve të verës numri i daljeve gjithsej, nga vendas dhe të huaj, regjistrohet në rreth 7.1 milionë, ose 9% më shumë se në vitin e kaluar.

Nëse përqëndrohemi vetëm në daljet e shtetasve shqiptarë, të dhënat bëjnë me dije në tre mujat e verës dolën nga territori rreth 2.2 milionë shtetas. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, pa marrë në konsideratë numrin e emigrantëve, mund të themi se vetëm përgjatë verës numri i daljeve nga Shqipëria është gati sa 90% e numrit total të popullsisë sipas rezultateve të fundit të Censit.

Vlen të përmendim se shumë shqiptarë kënë zgjedhur t’i kalojnë pushimet jashtë dhe kjo për shkak të ndikimit të euros. Paketat turistike zakonisht janë në euro dhe rënia e monedhës ka bërë që për shqiptarët këto paketa të jenë më të lira.

Ndërkohë, le të bejmë një përllogaritje tjetër duke marrë në konsideratë jo vetëm numrin e daljeve, por edhe atë të hyrjeve në periudhën Qershor-Gusht. Sipas të dhënave të analizuara edhe më herët nga “Scan Intel”, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e qëndrimit, nëse popullsisë rezidente i shtojmë hyrjet gjithsej të muajve të verës dhe i heqim daljet, atëherë na rezulton se përafërsisht në Shqipëri në një ditë çfarëdo të kësaj peridhe ka patur rreth 2.9 milionë banorë./Scan