Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni u shpreh sot se Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, ka një strukturë të bazuar në 3 qëllime, parandalim, ndëshkim dhe ndërgjegjësim
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Pirdeni bëri të ditur se, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 ka objektiv madhor adresimin e riskut të korrupsionit përmes masave me natyrë sistemike të shtrira në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në nivel qendror ashtu edhe vendor.
Ngritur mbi punën e deritanishme të institucioneve të sistemit të drejtësisë të specializuara në luftën kundër korrupsionit, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të hetimit, gjykimit të veprave penale të korrupsionit si dhe sekuestrimit dhe konfiskimit të produkteve të veprave penale të lidhura me korrupsionin, theksoi ministrja.
Gjithashtu Pirdeni shtoi se, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit kundër korrupsionit, përmes forcimit të edukimit mbi integritetin në sistemin arsimor parauniversitar, përgjatë të gjithë cikleve të tij, si dhe nëpërmjet forcimit të edukimit të sektorit publik./ata