Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pati sot një takim me ambasadorin e Vendeve të Ulëta, Reinout Vos.
Bashkë me urimet për zgjedhjen si Kryetare e Kuvendit, ambasadori Vos shprehu angazhimin e qeverisë holandeze për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së Shqipërisë për zhvillimin, mirëqenien dhe konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike.
“Diskutuam për të shfrytëzuar momentumin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe për të shkuar më tej në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar, me përparësi në sektorët e bujqësisë, turizmit, nxitjes së investimeve, arsimit etj., bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, rendit publik, luftës kundër korrupsionit etj.”, u shpreh Spiropali në një postim.
Kryeparlamentarja theksoi se, bashkëpunimi shumë i mirë parlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Holandës do të nxisë përparimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat e mësipërme.
“Ambasadorit Vos i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e Holandës për zhvillimin, demokratizimin, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe avancimin e reformave dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë”, theksoi Spiropali.
“Vlerësova veçanërisht mbështetjen nëpërmjet Organizatës së Vendeve të Ulëta për Zhvillim, SNV, për zhvillimin e qëndrueshëm, modernizimin e bujqësisë, rritjen e aksesit të popullsisë në shërbimet jetike bazë, fuqizimin e komuniteteve lokale etj.”, u shpreh kryeparlamentarja.
Shqipëria dhe Holanda janë partnerë në NATO, OKB, organizata të tjera ndërkombëtare si edhe në kontributet për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve./ata