Persona që kanë probleme me reumatizmin, probleme me frymëmarrjen  po edhe probleme me lëkurën dy herë në vit e zgjidhin llixhën e Elbasanit për vetitë shëruese të tij. Elbasani është ndër të vetmet qendra që prej dekadash shfrytëzon ujërat termale.

Sezoni kurativ në Llixhat e Elbasanit njeh një frekuentim të jashtëzakonshëm në periudhën shtator-nëntor të çdo viti. Frekuentuesit tregojnë për Euronews Albania pse zgjedhin këtë llixhë.

“Kam 5 vite që e frekuentoj llixhën e Elbasanit dhe ndihem mirë sepse vuaj nga reumatizma. Ujë është me squfur dhe ne e njohim që vijmë dhe e frekuentojmë këtë nga ngjyra. Është me e mira, kam vajtur edhe në Peshkopi por këtu nuk e zëvendësoj me asnjë”, thotë një grua.

Aktualisht janë mbi 10  mijë persona të akomoduar, kryesisht nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

“Vij nga Greqia, ndihem me mirë këtu dhe është më mirë. Vij për 13 -14 vjet edhe do vijmë prapë, vijmë dy herë ne vit. Nga reumatizma, ama jemi akoma më mirë, më dhembin gjunjë shpatullat, kockat të gjitha, jam shumë më mirë tani. Uji është i shkëlqyeshëm”, shprehet një tjetër.

Ujërat termale të Elbasanit njihen për vlerat e tyre kurative dhe vit pas viti me përmirësimin e shërbimit janë shtuar edhe frekuentuesit. Ato rekomandohen për sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës dhe reumatizmit./EuroNews