Raporti publik i monitorimit të drejtësisë i bërë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konsideruar rënie në produktivitetin e seancave gjyqësore në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka prezantuar raportin e katërt publik të monitorimit të drejtësisë të viteve 2020-2022, ku është bërë vlerësimi i sistemit të drejtësisë penale dhe civile të Kosovës dhe janë dhënë rekomandime konkrete, me qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përputhshmërinë me të drejtat e njeriut.
Sipas Barbanos, gjetjet e raporteve bazohen në monitorimin rigoroz të më shumë se 300 rasteve si dhe të dhënave të mbledhura përmes një bashkëpunimi të gjerë me institucionet e Kosovës duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe Shoqërinë Civile.
"Ky raport nënvizon se rruga drejt anëtarësimit në BE kërkon më shumë sesa reforma institucionale në drejtësi. Kërkon një përkushtim të palëkundur për sundimin e ligjit nga udhëheqësit në të gjitha nivelet dhe mbështetje nga çdo komunitet", theksoi Barbanos.
Shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster, gjatë prezantimit të raportit, tha se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk kanë shënuar ndonjë përparim të mirëfilltë.
"Në periudhën shtator 2022 deri në maj 2024, 230 nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë joproduktive apo 28 për qind e rasteve në gjykata ishin joproduktive. Krahasuar me raportet tona të vitit 2022, kjo përqindje ishte më e vogël me 26 për qind, por, ishte 30 për qind në raportin e vitit 2021 dhe rreth 50 për qind kur misioni ynë filloi të monitorojë aktivitetet në vitin 2018", theksoi Koster.
Ai bëri thirrje për autoritete gjyqësore të Kosovës që të analizojnë dhe rishikojnë se në rastet e profilit të lartë a është bërë rishikimi i duhur, gjykimi i duhur dhe a është zbatuar e drejta procedurale dhe materiale.
Kurse si zhvillim pozitiv ai tha se ka qenë se disa prej rasteve që kishin mbetur në gjykatën themelore të Mitrovicës të cilat janë transferuar në Prishtinë.
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka vlerësuar raportin e EULEX-it nga perspektiva e KGJK-së, që sipas tij ka karakter gjithëpërfshirës ku janë bërë vlerësime për zbatimin e rekomandimeve të raporteve të mëparshme që përbëjnë një reflektim për institucionet që kërkojnë adresim serioz për çështjet e ngritura në atë raport.
Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia e Kosovës ka marrë në konsideratë në vazhdimësi raportet e publikuara nga EULEX-i. Ai tha se gjatë punës hulumtuese të EULEX-it njësitet dhe zyrtarët e PK-së kanë qenë në vazhdimësi bashkëpunues dhe premtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje.
Hoxha shtoi se me rëndësi për Policinë e Kosovës është rezultati final i zgjedhjes së lëndëve, sepse në këtë mënyrë vlerësohet edhe puna e Policisë./aa