Eol Çashku, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, mori pjesë sot në seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”, në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë seancës, Çashku informoi deputetët e Kuvendit, “mbi problemet e zbatimit të paplotë të Ligjit për Kinematografinë ndër vite, pasojat e dhimbshme mbi të gjithë sistemin kinematografik dhe audiovizual në vendin tonë, si dhe përpjekjet e QKK aktualisht, në drejtim të përmbushjes së normave të përjashtimit kulturor evropian”.

Çashku mes të tjerash tha se, QKK ka hartuar dhe ka paraqitur fazën e parë dhe të dytë të projektit buxhetor afatmesëm 2025-2027, duke mbështetur të gjithë objektivat e programit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të kinematografisë dhe audiovizualit në vend.

“Aktualisht janë dhëne leje qarkullimi për 6 filma, produksione me fonde jo publike nga të cilat buxheti i shtetit arkëton tatimfitimi dhe tatim mbi vlerën e shtuar. Për vitin 2023 shteti arkëton TVSH dhe tatimfitimi nga Kinema Millenium dhe Cineplex; Kinema Cineplex 14,799,304 lekë, kinema Millennium 1,181,203 lekë dhe në total 15,980,507 lekë” tha Çashku.

Çashku gjeti mirëkuptimin dhe mori mbështetjen e deputetëve të pranishëm në seancë për përpjekjet e QKK-së në drejtim të zbatimit të ligjit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit kinematografik dhe audiovizual shqiptar./ata