Enkelejd Alibeaj ka mbledhur ditën e sotme kryesinë për të diskutuar lidhur me kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.
Në orën 14:00, Alibeaj do të mbledhë edhe grupin parlamentar për të diskutuar për njëjtën temë.
Alibeaj po zhvillon takime në mënyrë që të vendosë se si do të dalin në këto zgjedhje. Deri më tani nuk ka asnjë vendim, por vetëm disa opsione të hedhura në tryezë mbledhjen e djeshme.
Një ndër propozimet është që të dilet me kandidatë dhe me listat për Këshillat Bashkiakë në 61 bashki, por ka pasur edhe 2 opsione të tjera.
Opsioni i dytë që është diskutuar është dalja vetëm me anëtarë për këshillat bashkiakë, një tezë e hedhur nga pak persona në mbledhje. Skenari tjetër i lënë hapur për diskutime, është ai i propozuar nga deputetë dhe anëtarë të Kryesisë, sipas të cilëve duhet të dalin me listat për këshillat bashkiakë në 61 Bashki, por jo për kryetar bashkie në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Pra, në disa Bashki t’u lihen kandidatëve të ‘Rithemelimit’, një kërkesë që ka ardhur kjo edhe nga degët e partisë, si ajo në Vaun e Dejës apo e Elbasanit.
Deri më tani ka vetëm opsione dhe jo vendime nga ana e PD-së zyrtare, e ndërsa duhet theksuar se koha nuk është në favor të Alibeaj! Kjo sepse në 27 mars përfundon afati zyrtar i regjistrimit dhe depozitimit në KQZ të listave për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiak.