Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi sot se, buxheti në total i parashikuar për Policinë e Shtetit është në shumën 25.3 miliardë lekë me një rritje prej 22% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.
Në fjalën e tij në seancën dëgjimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në lidhje me projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2025” në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Proda u shpreh se, “buxheti i parashikuar për vitin 2025 është me rritje”.
“Përmes këtij buxheti garantohet mbështetja financiare për krijimin e kushteve të strukturave të Policisë së Shtetit për ushtrimin e përgjegjësive të tyre në funksion të realizimit të objektivave për garantimin e rëndit dhe sigurisë publike si dhe financimi i disa projekteve të rëndësishme në fushën e teknologjisë së informacionit”, tha ai.
Proda u shpreh se pr/buxheti 2025 parashikon mbulimin e pagesës së mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e policisë si dhe kompensimin ushqimor të punonjësve.
“Buxheti i parashikuar për vitin 2025 garanton shpenzime korente. Mbulimin e shpenzimeve të personelit dhe në mënyrë të veçantë pagesën e mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e policisë. Mbulimin plotësisht të efektit financiar të kompensimit ushqimor të punonjësve për një vlerë rreth 1 miliardë lekë”, tha ai.
Gjithashtu Proda u shpreh se me këtë pr/buxhet parashikohet, “mbulimi i efektit financiar për fillimin e projektit të ri për uniformën e punonjësve të policisë, pasi për uniformën aktuale kontrata përfundon në 31 dhjetor të vitit 2024”.
Proda shtoi se, “në mënyrë të veçantë garantohet efekti financiar i angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit për garantimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025”.
Sa i përket investimeve, Proda u shpreh se, “pr/buxheti parashikon financimin e projektit “Smart City”, sistemi i kamerave në administrimin e Policisë së Shtetit, i cili është i një rëndësie të veçantë për shërbimet e policisë. Projekti synon realizimin, monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore të cilësuara me interes prioritar për Policinë e Shtetit, si dhe në të gjitha pikat e kontrollit kufitar”.
Gjithashtu shtoi Proda, parashikohet financimi i disa projekteve në vazhdim nga viti i kaluar.
“Rikonstruksioni i Drejtorisë së Policisë Elbasan dhe asaj Berat. Ndërtimi dhe rikonstruksioni i Komisariateve Sarandë, Krujë dhe Kurbin dhe si dhe stacionet policore Patos dhe Roskovec”.
Gjithashtu, nënvizoi Proda, parashikohet edhe financimi i disa projekteve në fushën e teknologjisë dhe informacionit./ata