Arrestohet pronari i një subjekti në Milot që operonte në kundërshtim me ligjin për përpunimin e inerteve të marra nga shtrati i lumit Mat.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Riverside”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Lezhë, u zbulua një aktivitet i paligjshëm përpunimi inertesh në Milot, me pronar shtetasin P. K., 48 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin. Gjatë kontrolleve u konstatua se veprimtaria zhvillohej në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar mjedisin dhe pa dokumentacion të rregullt, me punonjës të paregjistruar dhe të ardhura të fshehura.
Policia ka sekuestruar tre mjete të rënda (një kamion dhe dy eskavatorë) që përdoreshin për këtë veprimtari. Ndaj subjektit u vendos edhe një gjobë prej 2,000,000 lekësh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme. Policia apelon ndaj të gjithë subjekteve që aktivitetin e marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve ta zhvillojnë në përputhje me ligjin dhe lejet përkatëse, për të shmangur masat ligjore që do të ndërmerren në rastet e shkeljeve.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT, operacioni policor i koduar “Riverside”.
Vihet në pranga pronari i subjektit. Gjithashtu, ndëshkohet me masë administrative 2 000 000 lekë. Sekuestrohen 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve të vazhdueshme, të mbështetura te puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin, me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Riverside”.
Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit P. K. Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i këtij subjekti, shtetasi P. K., 48 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.
Gjithashtu, iu vendos masa administrative 2 000 000 lekë, për veprimtarinë e kundërligjshme në këtë subjekt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie./ata