Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “në vend që të ngrihet në lartësinë e detyrës, Presidenti vjen në Kuvend dhe kërkon para për kolltuk dhe makina luksi”.

Gjatë seancës dëgjimore për buxhetin e presidencës për vitin 2025, Bardhi tha se opozita respekton institucionin e presidentit, por kurrsesi nuk mund të pranohet fakti se ai është kthyer në “drejtues politik të fushatës së Edi Ramës”.

Bardhi i kërkoi mazhorancës te mos e keqpërdor presidentin.

“Presidenti është në detyrë për rehati. Kërkon makina komode, kërkon zyra të mëdha,  çfarë nuk kërkon. Shpresojmë të mos kërkojë të hapë ndonjë sallon bukurie në presidencë. I kemi dhënë fonde në vazhdimësi. Por kam qenë shpesh në presidencë dhe të them të drejtën godina është mirë. Ky është Presidenti i parë që kërkon kolltuk, automjete e ku di unë. Presidenti para se të kërkojë kolltuk, karrige, parukeri do të duhej të luante rolin si president i vendit”, tha Bardhi.

Sipas tij, “i është dhënë disa herë shansi të ngrihet në detyrën e Kreut të Shtetit, por nuk ka guxuar kurrë ta bëjë këtë”.

“Ne e inkurajojmë të mos japë mesazh të ndasisë politike. I kërkojmë si institucion përgjegjës të marrë masa për ambasadorët. Presidenti shkarkoi një ndër ambasadorët më të mirë që kemi pasur, ambasadorin në Gjermani. E shkarkoi pse nuk i vuri në dispozicion eskortën për të takuar fëmijët. Nuk merr asnjë masë për ambasadorët që shkojnë në takime politike. Në vend që të flas për këtë vjen e kërkon në Kuvend, kolltukë. Sot nuk ka para për të sëmurët me kancer, Presidenti mori para për dorën që vrau duke kërcënuar ambasadorin në Gjermani. Do duhet ta dinë shqiptarët këtë. Në qoftë se keni respekt për presidentin mos e përdorni si lecke”, tha Bardhi./ata