Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca e pranishme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, duke folur për projektbuxhetin e vitit 2025, kërkoi fond shtesë për të plotësuar nevojat në organikë, por edhe në kuadër të investimeve në mbrojtjen nga sulmet kibernetike
Ballanca tha se viti i ardhshëm është një moment i rëndësishëm për institucionin që ajo drejton, pasi pritet riakreditimi nga OKB si një prej institucioneve më të rëndësishme për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Ndërkohë, që buxheti 2025 sipas Ballancës duhet të përmbushë të gjithë detyrat e lëna.
“Buxheti për Avokatin e Popullit është një moment i rëndësishëm i punës sonë, nëse nuk kemi buxhet të mjaftueshëm nuk adresojmë dot nevojat dhe çështjet e qytetarëve. Kemi një numër më i lartë ankesash dhe rekomandimesh, si një institucion lider në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në vitin e ardhshëm, do të jemi në procesin e ri-akreditimi dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse institucionet e të drejtave të njeriut akreditohen nga OKB njëherë në katër vjet. Viti 2020 ka qenë viti i fundit ku ne jemi akredituar si institucion me status të nivelit A për të drejtat e njeriut dhe brenda vitit 2025 do jetë riakreditimi tjetër”, tha Ballanca.
“Ministria e Financave ka ndjekur në nivel përmirësues kërkesat tona buxhetore, por ne kemi edhe disa kërkesa të tjera që nuk gjejnë pasqyrim me këtë çështje. Nevoja që institucioni ka për të krijuar brenda tij një njësi për analizën ligjore dhe raportimin, sidomos pas çeljes së negociatave me BE-në për vendin tonë. Dy persona shtesë në staf për të krijuar këtë nukël. Na duhet edhe një komisioner shtesë, nga katër që kemi, kjo për pjesën e burimeve njerëzore shtesë që na duhet. Pra, për fondin shtesë të pagave, na duhen 7,632 mijë lekë për pagat dhe 1,082 mijë lekë për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore”, tha Ballanca.
Avokatja e Popullit tha se pas një analize dhe bashkërendimi me Agjencisë e Sigurisë Kibernetike Shqiptare, siguria kibernetike mbetet një element kyç. “Problematika kryesore lidhet për sigurinë kibernetike, nga komunikimet me ASKS na duhet një investim prej 18 milionë lekësh i shpërndarë në infrastrukturë dhe teknikë. Nevojat e institucionit të Avokatit të Popullit janë për një fond prej katër milionë e 210 mijë lekë”./ata