Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca është takuar me drejtuesen e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), Sirpa Rautio, e cila po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat e Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut, referuar problematikave sociale, fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe të administratës publike, si dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të margjinalizuara.
“Në kontekstin e procesit të integrimit evropian, të drejtat e njeriut përbëjnë një kusht të rëndësishëm dhe përparësor për progresin e mëtejshëm, me ndikime të drejtpërdrejta në përmirësimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e qytetarëve”, tha Ballanca.
Gjatë takimit, Sirpa Rautio vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të forcimit të institucioneve të pavarura dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me strukturat ndërkombëtare për të përmbushur standardet evropiane. “Integrimi i plotë i të drejtave themelore është një prioritet i përbashkët dhe Agjencia është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë përmes programeve të specializuara dhe shkëmbimeve të ekspertizës, për të kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës”, tha Rautio.
Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA) është një mekanizëm i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, i cili mbështet shtetet anëtare dhe ato kandidate në përmbushjen e angazhimeve për të drejtat e njeriut, duke ofruar udhëzime, kërkime dhe mbështetje teknike. Përmes punës së saj, FRA ndihmon në adresimin e sfidave dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut në të gjithë Evropën./ata