Të paktën tetë persona janë vrarë në sulmet izraelite në një apartament banimi në provincën e Malit Liban në lindje të kryeqytetit Bejrut.
Agjencia shtetërore e lajmeve "NNA" raportoi se disa persona të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që vunë në shënjestër zonën "Dawhet Aramoun".
Po ashtu u raportuan dëme në disa ndërtesa pranë zonës që u vu në shënjestër.
Avionët luftarakë izraelitë gjithashtu kryen një seri sulmesh në jug të Bejrutit, duke vënë në shënjestër lagjet Haret Hreik, Bir al-Abed, Laylaki dhe Ghobeiry.
Izraeli e ka përshkallëzuar fushatën ajrore në Liban që nga fundi i shtatorit kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim nga lufta ndërkufitare 1-vjeçare që nga fillimi i ofensivës izraelite ndaj Rripit të Gazës më 7 tetor të vitit 2023.
Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, rreth 3.300 njerëz janë vrarë që atëherë, mbi 14.200 të tjerë janë plagosur, si dhe më shumë se 1 milion janë zhvendosur si pasojë e sulmeve izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.
Më 1 tetor të këtij viti, Izraeli nisi një inkursion tokësor në jug të Libanit./aa