Shefi i NATO-s, Mark Rutte dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, kanë riafirmuar përkushtimin e aleancës ushtarake për mbështetjen ndaj Ukrainës përballë luftës së vazhdueshme të Rusisë, me shqetësimet në rritje për përfshirjen e forcave të Koresë së Veriut dhe një administratë të re amerikane që po pret në prapaskenë.

Blinken vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel, me shumë gjasë duke shënuar një nga udhëtimet e tij të fundit në pozitën e sekretarit të shtetit. Duke theksuar shtesën e fundit të NATO-s me dy anëtarë të rinj, respektivisht Finlandën dhe Suedinë, shefi i NATO-s theksoi rolin e udhëheqjes së SHBA-së në rezistencën e Ukrainës.

"Falë udhëheqjes amerikane, Ukraina ka mbizotëruar dhe Rusia nuk ka fituar", tha Rutte duke paralajmëruar më tej për kërcënime të reja, veçanërisht për përfshirjen e Koresë së Veriut në mbrojtjen e Rusisë.

Duke iu referuar rreziqeve që paraqesin ushtarët e Koresë së Veriut që luftojnë përkrah forcave ruse, Rutte tha se "tani po shohim që koreano-veriorët janë aktiv në Ukrainë dhe kjo po vjen me një kosto".

"Këta ushtarë të Koresë së Veriut paraqesin kërcënim shtesë për Ukrainën dhe do të rrisin potencialin që Putini të bëjë dëm", tha Rutte.

Ai theksoi se mbështetja e Rusisë për Korenë e Veriut "paraqet kërcënim jo vetëm për anën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin e SHBA-së, Korenë e Jugut dhe Japoninë".

Blinken, nga ana e tij, përkrahu këto shqetësime të shefit të NATO-s, duke theksuar nevojën për një përgjigje të bashkuar globale ndaj sfidave në rritje.

"Ne po shohim gjithnjë e më shumë pandashmërinë e sigurisë midis këtyre teatrove të ndryshëm", theksoi Blinken, duke iu referuar situatave të ndërlidhura të sigurisë në rajonin euroatlantik, Indo-Paqësor si dhe në Lindjen e Mesme.

 

- Fryma e ndryshimit në Washington

Më tej, Blinken theksoi partneritetin e forcuar të NATO-s me vendet e Indo-Paqësorit si dhe çështjen e aleancës në sigurimin e burimeve të mbrojtjes.

"Sot, ne patëm diskutim shumë produktiv për mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën përballë një agresioni të vazhdueshëm rus. Ne do ta bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë të mbështesim gjithçka që po bëjmë për Ukrainën", tha Blinken.

Rutte dhe Blinken po ashtu apeluan për përpjekje të vazhdueshme për të forcuar aftësinë mbrojtëse të NATO-s, veçanërisht në dritën e rritjes së tensioneve globale.

Para se të udhëtojë për në Peru dhe Brazil, Blinken gjatë vizitës në Bruksel pritet të takohet edhe me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, si dhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

Vizita e sekretarit amerikan në Bruksel vjen më pak se dy muaj para se Donald Trump të marrë sërish detyrën si president i SHBA-së, i cili do të emërojë një sekretar të ri të shtetit.

Trump prej kohësh ka shprehur skepticizëm për aleancën e NATO-s dhe gjithashtu ka sugjeruar se SHBA-ja mund të ndërpresë ndihmën për Ukrainën./aa