Miliarderi amerikan Elon Musk ka shkaktuar polemika me komentet dhe kritikat e tij ndaj gjyqtarëve italianë që bllokuan marrëveshjen për transferimin e emigrantëve midis Italisë dhe Shqipërisë, duke thënë se ata “duhet të largohen”.

Vendimi i gjykatës të hënën bllokoi ndalimin e shtatë emigrantëve që ishin transferuar në qendrat e emigrantëve në Shqipëri të krijuara nga Italia, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas marrëveshjes, qeveria italiane synon të reduktojë fluksin e emigrantëve duke i mbajtur në objektet shqiptare, derisa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Gjykata e Romës e referoi çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Vendimi përfaqëson pengesën e dytë të madhe për marrëveshjen e diskutueshme midis Italisë dhe Shqipërisë.

Pas vendimit të gjykatës, shtatë emigrantët, të cilët janë shtetas të Egjiptit dhe Bangladesh, u sollën në portin italian të Brindisit.

Matteo Salvini, kreu i partisë së krahut të djathtë, i cili është gjithashtu zvçkryeministër dhe ministër i Transportit, e mirëpriti komentin e biznesmenit amerikan, duke thënë se "Elon Musk ka të drejtë".

Maurizio Lupi, një anëtar tjetër i koalicionit qeverisës, tha se "fjalët e Elon Musk-ut janë të papërshtatshme. Edhe pse vijnë nga jashtë, ato nxisin një përplasje me gjyqësorin që qendra e djathtë nuk e dëshiron".

Fabio Rampelli nga partia e kryeministres Giorgia Meloni dhe nënkryetar i Dhomës së Deputetëve, tha se gjyqtarët që kundërshtojnë politikën e riatdhesimit të qeverisë e kanë gabim.

"Megjithatë, ne jemi të pajisur për t'u mbrojtur. Falënderojmë Elon Musk-un, por nuk jemi si e majta, e cila zmadhon çështjet kritike italiane në nivel ndërkombëtar, duke u tallur me kombin".

Disa ligjvënës të majtë dhe të qendrës së majtë i kërkuan kryeministres Meloni të ndërhynte.

Angelo Bonelli e quajti atë "një ndërhyrje të papranueshme dhe një problem serioz për demokracinë" ndërsa Andrea Casu e përkufizoi komentin e Musk si një "sulm ndaj gjyqtarëve italianë" dhe një "ndërhyrje të patolerueshme".

Udhëheqësi i së Majtës italiane, Nicola Fratoianni, tha se ai nuk e di nëse qeveria do të shqetësohet për mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve nga "ndërhyrja e Musk këtë herë".

Muajin e kaluar, gjyqtarët e Romës refuzuan ndalimin e një grupi prej 12 emigrantësh të dërguar në qendrat e sapohapura shqiptare pasi vendet e tyre të origjinës nuk konsideroheshin mjaft të sigurta për riatdhesim.

Qeveria e ekstremit të djathtë të Italisë miratoi më pas një dekret të ri që synon zgjidhjen e pengesave gjyqësore për marrëveshjen e saj të migracionit me Shqipërinë.

Dekreti reduktoi numrin e vendeve që konsiderohen të sigurta me ligj, në mënyrë që të mund të kthehen emigrantët në ato vende duke përdorur një procedurë të shpejtë në rast se nuk u jepet azil sipas ligjit italian./aa