Administrata e SHBA-së njoftoi se synon që deri në vitin 2050 të trefishojë kapacitetin aktual të energjisë bërthamore duke krijuar një kapacitet të ri prej 200 gigavatësh.
Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur planin e administratës së presidentit Joe Biden rreth synimeve të energjisë bërthamore si dhe plan veprimin për arritjen e këtyre synimeve.
"Rreth 20 për qind e energjisë elektrike të vendit si dhe gjysma e energjisë pa karbon e SHBA-së vjen nga energjia bërthamore. Rritja e investimeve në energjinë bërthamore dhe zinxhirët e furnizimit përkatës do të forcojë sigurinë kombëtare, do të rrisë besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e energjisë, do të rrisë ekonominë e SHBA-së dhe do të rivendosë konkurrencën globale të SHBA-së në këtë fushë", thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se në kuadër të kësaj administrata e SHBA-së synon që deri në vitin 2050 të trefishojë kapacitetin aktual të energjisë bërthamore duke krijuar një kapacitet të ri prej 200 gigavatësh.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë bëhet e ditur se rritja e kapaciteteve në fjalë do të arrihet me ndërtimin e termocentraleve të reja bërthamore, rritjen e kapaciteteve të reaktorëve ekzistues dhe riaktivizimin e reaktorëve që u mbyllën për arsye ekonomike.
Gjithashtu duke përcjellë synimet afatshkurta, synohet të vihet në punë një kapacitet i ri prej 35 gigavatësh deri në vitin 2035./aa