Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja kërkoi sot në Kuvend mbështetjen për të miratuar Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, i nënshkruar në Nju Jork më 10 dhjetor 2008 duke dhënë një shembull uniteti rreth një çështje që tejkalon ndasitë politike.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet ky projektligj Gonxhja u shpreh se “të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme. Me këtë Protokoll Opsional ne fuqizojmë më tej të gjithë qytetarët”.

“Ky projektligj synon të rendisë Shqipërinë mes atyre pak vendeve elitare sot në botë që jo vetëm kanë miratuar gjithë konventat dhe protokollet për të drejtat e njeriut, por kanë bërë edhe një hap më tej, por duke ngritur edhe mekanizma të posaçme që garantojnë më shumë të drejta. Ky nuk është një detyrim që kemi, por dëshirë dhe aspirata jonë për të garantuar për të gjithë qytetarët e këtij vendi një mjet të ri shtesë që u jep zë edhe në instancat ndërkombëtare, nëse nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje brenda vendit”, tha Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “duke mbështetur këtë projektligj ne do të rreshtohemi midis asaj shumice vendesh të BE-së që kanë zgjedhur të shtojnë një filtër shtesë garantues për qytetarët në legjislacionin e tyre kombëtar”.

“Merita më e madhe e këtij protokolli në 46 vende, në të cilat sot ai aplikohet është krijimi i një mekanizmi të drejtpërdrejtë që lejon qytetarin të mbajë përgjegjës direkt institucionet e vendit të tij në rast shkeljesh”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja vuri në dukje se “ky protokoll shtesë njeh kompetencën dhe juridiksionin e Komitetit të Posaçëm Ekonomik,  Social dhe Kulturor, një trupë përbërës i OKB-së për të trajtuar ankesa nga qytetarë apo grupi interesi që besojnë se të drejtat e tyre të parashikuara në këtë konventë janë shkelur”.

Gonxhja tha se “ankesat fillimisht duhet të ezaurohen në të gjitha rrugët ligjore kombëtare dhe është një mekanizëm më shumë efikas, më funksional, më efikas  në raport me të drejtat e secilit qytetar”.

Sipas tij, ankesat anonime apo ankesat për ngjarje që kanë ndodhur përpara se vendi të ratifikonte Protokollin Opsional nuk janë të lejuara.

“Përfitues primarë të aderimit të vendit tonë në këtë protokoll janë personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët dhe minoritetet. Aderimi siguron që të drejtat e tyre të mbrohen e të respektohen edhe me mirë dhe ofron më shumë mbështetje dhe ekspertizë ndërkombëtare”, tha Gonxhja./ata