Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi sot 12 drejtuesit e policisë në qarqe.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha vuri theksin edhe te atentati me katër viktima në Dobraç të Shkodrës, ku tha se autorët duhet të shkojnë sa më shpejt para drejtësisë.

“Një nga ngjarjet si ajo e javës së shkuar në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt”- u shpreh Hoxha.

Kujtojmë se drejtues i qarkut Shkodër u emërua Fatmir Lleshaj.

Ministri shtoi se policia duhet të heqë dorë nga ndjekja e rasteve si riparime të vogla në banesat në fshat duke theksuar se misioni i policisë është tjetër, nga ai i ‘ngacmimit” të qytetarëve nga punonjës të papërgjegjshëm.

“Duhet të marrin fund praktikat e ndodhura në fshat që qytetarët ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm për riparimin e një palë shkallësh apo një avllie, policia ka mision tjetër”, tha Hoxha.

Hoxha tha se “Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt”

Ministri i Brendshëm shtoi se “rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit.

Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale”, përfundon Hoxha./ata