Vijon operacioni policor “Andromeda” në Gjirokastër, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike.

Operacioni “Andromeda”, njofton Policia, vjen si rezultat i një hetimi disajavor të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, kishte si objektiv goditjen e një grupi kriminal që vepronte në Gjirokastër dhe Sarandë. Gjatë këtij aksioni, policia ka identifikuar, kapur dhe vënë në pranga dy anëtarë të tjerë të grupit, shtetasit B. L., 24 vjeç, dhe E. Dh., 31 vjeç, banues në Gjirokastër.

Hetimet tregojnë se këta dy persona, së bashku me tre të tjerë të arrestuar më parë më 25 tetor, janë të përfshirë në aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht Cannabis, të ndara në doza. Gjatë kontrolleve, policia gjeti sasi të Cannabisi në zotërim të të arrestuarve, ndërsa te shtetasi B. L. u zbulua dhe një certifikatë e dyshuar e falsifikuar.

Ndërkohë, babai i 31-vjeçarit të arrestuar, shtetasi Q. Dh., 68 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë pasi iu gjetën dhe sekuestruan dy thika luftarake të mbajtura pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme./ata