Qyteti i Vlorës në orët në vijim pritet të përfshihet nga reshje shiu me intensitet të lartë.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “për të shmangur rrethana të papritura, si pasojë e reshjeve të shiut, ekipet e shërbimeve të qytetit janë të gjithë në terren. Po kujdesemi çdo orë që rrugët të mos krijojnë pengesa të lëvizjeve. Do të jemi në gatishmëri për t’u siguruar që kushtet të jenë të duhurat”.
Ndërsa bashkia e Vlorës në njoftimin për shtyp bën të ditur se “grupet e Ujësjellës Kanalizimeve dhe bashkisë së Vlorës, do të jenë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme”.
Për të shmangur incidentet bashkia këshillon qytetarët të mos parkojnë automjetet në zonat me risk të lartë si: “Albano&Romina”, Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në “Skelë” te dykalimshi dhe tek shkolla “Halim Xhelo”.
“Nëse hasni problematika nga reshjet e shiut me prezencë të ujit kontaktoni në numrin e emergjencave 112”, thuhet në njoftimin e bashkisë.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira dhe alternime kthjellimesh të herëpashershme si dhe reshje shiu, ndërsa në Alpe dhe në lartësitë 1000-1200m pritet reshje bore me intensitet të ulët./ata