Sahati i Inglizit, monument kulture i kategorisë së parë, në qytetin e Shkodrës, është vënë tashmë në punë.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili ndau në rrjetet sociale momente nga vënia në punë e këtij sahati.

“Sahati i Inglizit nga sonte ka orën e tij, duke i dhënë këtij monumenti të trashëgimisë kulturore të Shkodrës rëndësinë që meriton. Një punë fantastike e punonjësve të bashkisë që rikthyen në identitet këtë pasuri për qytetin tonë”, shkruan Beci.

Sahati i Inglizit ka pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Europë, e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek, XIX.

Nga pikëpamja ndërtimore përbëhet nga 16 dhoma aristokratike të mëdha. Më e madhja e ndërtuar me stil oriental.

Porta e oborrit është me dimensione jo të vogla e ndërtuar prej druri nga mjeshtërit shqiptarë. Dyert kanë stil të veçantë, të gdhendura me ornamente dhe me stemën e Anglisë./ata