Kryeministri Edi Rama në një status në rrjetin social “Facebook”, thotë se Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore“nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të PS”.

 

Kreu i qeverisë thotë se ky rrjet social është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.

 

Më tej ai flet edhe për opozitën për të cilën thotë se është e çoroditur dhe e dëshpëruar.

 

“Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 Maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.

 

Aplikacioni “Aktivist” u prezantua nga Partia Socialiste në prill të vitit të shkuar. Në lidhje me këtë aplikacion, opozita ka hedhur duke thënë së punonjësit publike janë urdhëruar që të shkarkojnë aplikacionin dhe të pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e ministrave të qeverisë.