/ Prezenca e OSBE-së në Tiranë dënoi sot sulmin ndaj Top Channel, ku mbeti i vrarë roja i godinës së këtij televizioni.

 

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik”, theksohet në deklaratën për shtyp të OSBE-së.

 

OSBE shprehet se, “një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë”.

 

Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.

 

Rreth orës 01:00 të pasmesnatës persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).