Gjykata e Apelit të Juridiksionit ka caktuar masën e sigurisë për 4 persona nën hetim, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit në ambientet e një lokali ne Fier. Për tre persona gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për një tjetër “arrest shtëpie”.
Personat akuzohen për “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Njoftimi
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Prokuroria prane Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ka regjistruar procedimin penal, ndaj personave nën hetim me iniciale B.M, N.G, N.A dhe T.H, të cilët dyshohen se në ambientet që ushtronin aktivitetin “Bar Kafe”, në bashkëpunim ushtronin dhe veprimtari të paligjshme atë të shfrytëzimit të prostitucionit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim me iniciale B.M, N.G dhe N.A, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, të parashikuar nga nenet 114/2 dhe 115 të K.Penal. Si dhe për personin nën hetim me iniciale T.H, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, parashikuar nga neni 115 i K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr. 62-2023-739 (225), datë 02.03.2023 ka vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj shtetases B.M, me Vendimin nr. 62-2023-666, datë 27.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj shtetasit N.G, me Vendimin nr. 62-2023-666, datë 27.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj shtetases N.A, me Vendimin nr. 62-2023-666, datë 27.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit T.H.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
Nga personat nën hetim me iniciale B.M dhe N.G, të cilët kërkuan zëvëndësimin e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg” në një masë sigurimit personal më të butë atë të “arrest në shtëpi”.
Nga personi nën hetim me iniciale A, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit lirimin e menjëhershëm pasi nuk rezulton e provuar kryerja e veprave penale, në alternativë ndryshimin e vendimit për sa i përket e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg” në një masë sigurimit personal më të butë atë të “arrest në shtëpi”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.03.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Edlira Petri, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 62-2023-739 (225), date 02.03.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Tiranë, 27.03.2023
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM