Gjykata e Apelit vendosi që të rrëzojë ankimimin e Lulzim Bashës, duke e njohur Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.
Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se kjo është një ditë e mirë për demokratët. “Këto tre zonja sot treguan se e vërteta prevalon mbi urdhërat politikë”, tha Noka.
“Sot është një ditë e mirë për të gjithë demokratët. Zëri i tyre megjithëse në oazin e padrejtësisë u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës, e cila po zvarritej prej tre vitesh”, tha Noka.
“E vërteta që demokratët janë ata që vendosin me vullnetin e tyre çdo gjë që ka të bëjë me Partinë Demokratike. Komenti yne është shumë i thjeshtë, demokratët janë të bashkuar, vendimi i gëzon ata. Thirrja është për çdo demokrat, shtëpia juaj ka qenë dhe është PD.
Kjo thirrje vlen për çdo demokrat, por jo për ata që e ndjejnë veten në krah të Edi Ramës.
Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë regjim, është i mirëpritur”, tha Noka.
“Ky është një vendim i formës së prerë që e kanalizon plotësisht këtë çështje”, shtoi Noka.
Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë ka qenë ligjore, por me protesta dhe akuza të ndërsjella.
Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural./ata