Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se qeveria e tij "nuk do të pranojë kurrë" iniciativën e Bashkimit Evropian (BE) për të ndaluar që nga viti 2035 automjetet e reja që kanë motor me benzinë dhe naftë.

 

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Morawiecki kritikoi vendimin e marrë dje nga BE-ja.

 

"Do të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur familjet polake kundër të ashtuquajturës tjetër shpikje ekologjike të vendeve të pasura dhe burokratëve të Brukselit. Këtë nuk e pranojmë kurrë", deklaroi Morawiecki duke nënvizuar se e mbështesin energjinë e gjelbër.

 

Këshilli Evropian njoftoi se vendet anëtare kanë miratuar ligjin i cili që nga viti 2035 do të sjellë standarde të rrepta të emetimit të karbonit për automjetet dhe automjetet e lehta komerciale.

 

Sipas ligjit, prodhuesit e automjeteve do të zerojnë emetimet e karbonit deri në vitin 2035. Në këtë mënyrë që nga periudha në fjalë, në vendet e BE-së nuk do të mund të bëhet shitja e automjeteve të reja që kanë motorë me djegie të brendshme, përfshirë ato me benzinë dhe naftë dhe që emetojnë karbon.

 

Polonia është vendi i vetëm i cili ka votuar kundër direktivës në fjalë ndërsa Italia, Rumania dhe Bullgaria kanë abstenuar./AA