Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon ndërhyrje në dy rrugë në vend, ku e para është zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, faza e dytë segmenti nga Ura e Cerencit në Peshkopi për sistemim dhe asfaltim.
Fondi limit për të dyja procedurat është rreth 3.7 miliardë lekë, apo mbi 32 milionë euro. Por cilat janë në fakt specifikimet e secilit projekt.
Referuar raportit teknik, kontrata zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë – Thanë (Faza II) parashikon ndërhyrjen në gati 50 kilometra rrugë. Fondi limit është rreth 2.5 miliardë lekë.
Nga ana e Investitorit (ARRSH) kërkohet që të realizohet një ndërhyrje në përmirësimin e kushteve të lëvizjes në segmentin ekzistues rrugor nga dalja e qytetit të Elbasanit deri në Qafë Thanë.
“Gjatësia totale e projektit është 50.12 km. Kjo rrugë u shërben banorëve jo vetëm të zonës midis Elbasanit dhe Korçës, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe të huaj, të cilët frekuentojnë zonën e Pogradecit dhe Korçës, si dhe shtetasve të huaj dhe vendas të cilët lëvizin në drejtim të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rruga nacionale ekzistuese Elbasan – Qafë Thanë, me gjerësi totale 9 – 9.5m (8 m gjerësi asfalti dhe bankina me gjerësi 0.5-0.75).
Rruga ekzistuese ka nevojë për ndërhyrje në elementet gjeometrikë, shtresat rrugore, në sistemin e trotuarëve, ndriçimit rrugor të zonave urbane, sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, sinjalistikë vertikale dhe horizontale” thuhet në raportin teknik.
Ndërkohë edhe aksi i dytë me një fond limit më shumë se 1.2 miliardë lekë, përfshirë në kontratën me objekt “Sistemim asfaltim rruga Ura e Cerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3” konsiderohet i rëndësishëm.
“Segmenti rrugor Peshkopi – Herbel është pjese e rrugës nacionale Peshkopi – Tiranë. Kjo rrugë është aksi kryesor që bën të mundur lidhjen e qytetit të Peshkopisë me Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit, si dhe me një pjesë të madhe të fshatrave të Dibrës.
Gjithashtu, ky segment është një pikë kyçe e lidhjes me Maqedoninë e Veriut nëpërmjet Doganës së Bllatës.
Pra kjo rrugë është pika kyçe e komunikimit të Qarkut Dibër me rajonet e tjera të vendit.
Kohët e fundit kjo rrugë po aksesohet gjithmonë e më shumë edhe nga turistë vendas e të huaj, sidomos gjatë periudhës së verës për të shijuar turizmin malor dhe atraksionet e ndryshme të zonës.
Ndaj studimi dhe përmirësimi i këtij aksi merr një rëndësi të veçantë dhe është bërë tashmë e domosdoshme” thuhet në dokumentet e ARRSH.
Rruga fillon në kilometrin 0 në fshatin Herbel në drejtim të Peshkopisë dhe përfundon në kilometrin 8.52, ku bashkohet me unazën e qytetit Peshkopi.
Gjurma e rrugës do të ndjekë pjesërisht gjurmën e rrugës ekzistuese dhe në shumë vende të tjera do të ketë gjurmë tërësisht të re, duke eliminuar një pjesë të madhe të kthesave ekzistuese të rrezikshme për sigurinë e qarkullimit të mjeteve./Monitor