Autoritetet kanë marrë dëshminë e Eraldo Mustafës, të cilit ditën e djeshme iu bë atentat me tritol duke i shpërthyer makinën teksa ishte në lëvizje aksin rrugor Shkozet – Durrës.

 

Mustafa në deklaratën e tij ka pohuar për hetuesit se nuk ka konflikte të hapura dhe nuk ka pasur asnjë kërcënim.

 

“Nuk kam konflikte me persona të tjerë. Nuk kam asnjë dijeni se kush ma ka vendosur lëndën plasëse. Makinën e kam pasur të parkuar tek shtëpia ime, që ndodhet pak metra larg vendit të ngjarjes. Sapo dola nga shtëpia shpërtheu. Nuk di çfarë të them më tepër, pasi s’kam asnjë ide se kush e ka vendosur lëndën plasëse“, ka thënë 37 vjeçari në deklaratën e tij.

 

Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje grupi hetimor ka shoqëruar 8 persona të cilët janë marrë në pyetje, por ende nuk ka ndonjë të ndaluar.

 

Makinës që drejtohej nga 37 vjeçari Mustafa i ishte vënë tritol në gomën e pasme që ka shpërthyer sapo ai ka nisur të lëvizë.