Australia ndoqi vendet e tjera perëndimore në ndalimin e aplikacionit për ndarjen e videove TikTok nga pajisjet elektronike të ligjvënësve për shkak të shqetësimeve të sigurisë, njoftoi qeveria federale.
Në një deklaratë, prokurori i përgjithshëm Mark Dreyfus tha se ”vendimi është marrë pas këshillave të ekspertëve të shërbimeve sekrete dhe sigurisë”.
“Direktiva do të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur. Ndalimi do të zbatohej për të gjitha pajisjet e lëshuara nga departamentet dhe agjencitë e Commonwealth. Përjashtimet do të jepen vetëm rast pas rasti dhe me masa mbrojtëse adekuate”, theksoi Dreyfus.
TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, tashmë është ndaluar në pajisjet e lëshuara nga qeveritë në Kanada, Zelandën e Re, Britaninë e Madhe dhe SHBA për shkak të shqetësimeve të sigurisë kibernetike.
Aplikacioni ka më shumë se një miliard përdorues në mbarë botën dhe përdoret gjerësisht në SHBA dhe Evropë, por kjo ka nxitur frikën se autoritetet kineze dhe shërbimet sekrete mund ta përdorin aplikacionin për të mbledhur informacion nga përdoruesit ose për të përhapur ndikim.
Kompania i ka mohuar këto akuza.