Një çift shqiptarësh me nënshtetësi britanike kanë përfunduar në telashe në Mbretërinë e Bashkuar, pasi akuzohen për pastrim parash. Ardian Sharra (51 vjeç) dhe Valbona Laloshi (41 vjeçe) tentuan të nxirrnin jashtë vendit më shumë se 200,000 £ cash (248,500 €) gjatë kulmit të pandemisë.
Çifti shqiptar, që jetonte në Tring të Hertfordshire, ishin subjekt i një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit pasi makina e tyre u ndalua në terminalin e tunelit të Kanalit Anglez në Folkestone të Kentit, në maj 2020. Çifti udhëtonin së bashku me tre fëmijët e tyre me një “Mercedes Benz” dhe pretenduan se ishin rrugës për të vizituar të afërmit e tyre në Breshia të Italisë.
Ata fillimisht deklaruan se kishin me vete në makinë 5000 £ (5600 euro), për të cilat u thanë oficerëve që do të paguanin për trajtimin dentar gjatë kohës që ishin në Itali. Megjithatë, Forcat Kufitare kryen një kontroll të plotë të makinës dhe zbuluan 14,000 £ (15,900 €) të fshehura në çantën e Laloshit dhe më shumë se 200,000 £ (227,000 €) të ruajtura në një çantë shpine dhe valixhe në bagazhin e automjetit. Hetuesit e NCA kryen më pas një kontroll në shtëpinë e Sharrës dhe Laloshit në Tring, ku gjetën një sërë dokumentesh që tregonin të dhëna të shumave të mëdha të parave të depozituara në llogaritë bankare të përdorura nga çifti.
Hetimet e mëtejshme përcaktuan se dyshja kishin depozituar më shumë se 110,000 £ (125,250 €) në llogaritë e tyre një vit më parë – shumë gati pesë herë më e lartë se të ardhurat e tyre të deklaruara për të njëjtën periudhë.
Ata gjithashtu kanë pasur edhe transferta të shumta të pashpjegueshme nga bankat ndërkombëtare.
Sharra e kishte blerë “Mercedesin” me para në dorë për 11,000 £ vetëm dy muaj para se të ndaloheshin në tunel.
“Ky çift gënjeu për paratë që në momentin që u kapën, duke u thënë fillimisht oficerëve se do t’i përdornin për ndërhyrje dentare në Itali, më pas duke pretenduar se ishin për një blerje prone. Hetimi ynë tregoi se ata po përdornin llogaritë e tyre të ndryshme bankare për të bërë paratë kriminale të dukenshin të ligjshme”, tha komandanti i degës së NCA, Mark Howes.
Nisur nga të dhënat çifti i shqiptarëve u akuzua për pastrim parash, akuzë të cilën ata të dy e mohuan fillimisht. Por ditën e djeshme, më 3 prill, ata kaluan në pranim të fajësisë në Gjykatën e Lartë të Canterbury.
Sharra u dënua 18 muaj me kusht dhe 200 orë punë pa pagesë, ndërsa Laloshi me 12 muaj urdhër komunitar dhe 50 orë punë pa pagesë, ndërsa paratë e sekuestruara do të konfiskohen si produkte të veprës penale.