Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi u shpreh sot se drejtësia duhet të hetojë dhe të dalë në një përfundim mbi akuzat për mosdeklarim, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë nga Monika Kryemadhi, e mbi të gjitha për raportet e interesit apo biznesit me rusët, që nuk janë e nuk mund të jenë kurrë interesat e Shqipërisë.
Në një deklaratë për shtyp nga selia e PS-së, Koçi u shpreh se “transfertat bankare të një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë me kompani offshore të lidhura me Rusinë, përfaqësojnë një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese e të rëndë në historinë e politikës shqiptare”.
“Një deputete që merr para nga kompani oligarkësh rusë të cilët ushqejnë me rublat e tyre, makinerinë vrasëse të Kremlinit, nuk mund të injorojë opinionin publik dhe organet e drejtësisë. Drejtësia e re do të duhet t’i japë përgjigje të shpejtë dhe proporcionale këtij shqetësimi publik sepse kjo është çështje e një urgjence kombëtare dhe ndërkombëtare. Drejtësia do të duhet ta adresojë menjëherë implikimin në financime ruse, të një deputeteje të një vendi anëtar të NATO-s”, tha ai.
Koçi theksoi se drejtësia nuk duhet të humbasë kohë, teksa të dhënat e medieve ngrenë dyshime të forta, se oligarkët rusë kanë shtrirë duart në vendimmarrjen publike, përmes financimeve të partive, politikanëve apo deputetëve.
Ai theksoi se dokumentet e publikuara nga media flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit në marrëdhënie biznesi me oligarkë rusë.
“Në një nga faturat e transfertave bankare pasqyrohet deputetja Kryemadhi të ketë marrë para në formë dividenti nga kompani offshore të rusëve. Përderisa ka marrë dividentin, Kryemadhi duhet të sqarojë se në çfarë lloj biznesi është përfshirë ajo me rusët? A është ajo aksionere me oligarkë e politikanë rusë në këto kompani offshore? Çfarë u ka premtuar ajo rusëve në këmbim të këtij biznesi fitimprurës për të? Si mundet që një ligjvënëse e Kuvendit të Shqipërisë të përfshihet në marrëdhënie biznesi me oligarkët rusë, paratë e të cilëve po mbajnë në këmbë regjimin gjakatar të Putinit? Si mund të bëjë biznes me rusët bashkëshortja e ish-Presidentit të një vendi me vokacion të palëkundur euroatlantik? Përse i fshihet llogaridhënies Kryemadhi për këto raportime implikuese”, pyet Koçi.
Ai theksoi se çdo politikan dhe zyrtar i këtij vendi ka detyrimin ligjor që të deklarojë çdo qindarkë të ardhurash, por këto shuma sipas medieve, Kryemadhi nuk i deklaroi kurrë.
“Taktika e sulmeve mbi mediet denoncuese nuk është gomone shpëtimi. Ndërkohë që deputetja Kryemadhi gjen si rrugëdalje nga ky skandal vetëm kërcënimet dhe shantazhet ndaj medieve, Partia Socialiste i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë rastin me ekzigjencë të palëkundur”, tha ai.