Dymbëdhjetë persona u vranë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, dhe 20 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera nga ushtria izraelite të martën herët në Gaza, në bashkëpunim me shërbimin e sigurisë së brendshme izraelite Shin Bet.
Viktimat u konfirmuan nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Brigadat al-Kuds, krahu i armatosur i lëvizjes Xhihadi Islamik, përmes një deklarate tha se tre anëtarë të udhëheqjes së saj, gratë dhe fëmijët e tyre u vranë në sulmet ajrore.
Në mesin e të vrarëve ishin udhëheqës të lartë të grupit Tareq Izzeldeen, komandanti Khalil Bahitini dhe Jahed Ahnam, sekretari i përgjithshëm i këshillit ushtarak të grupit.
Lëvizja shprehu dhimbjen dhe pikëllim për vdekjen e anëtarëve të saj.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Xhihadit Islamik, Tariq Silmi tha se "të gjitha opsionet dhe skenarët janë të hapura për forcat e rezistencës në përgjigje të krimeve të forcave okupuese".
"Rezistenca nuk do të ndalet derisa t'i japim fund pushtimit", tha Silmi, duke shtuar se "do të hakmerren për liderët dëshmorë".
Udhëheqësi i lëvizjes Hamas, Ismail Haniyeh, mbështeti deklaratën e Silmit, duke thënë se Izraeli bëri një gabim në operacionin e tij dhe do të paguajë çmimin.
"Vrasja e liderëve përmes operacioneve tinëzare nuk do t'i jap kurrfarë sigurie okupatorit (Izraelit). Përkundrazi, do të rrisë më tej rezistencën", tha Haniyeh.
Më herët, ushtria njoftoi për nisjen e Operacionit "Mburoja dhe Shigjeta" pas sulmeve ajrore kundër objektivave të Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës. Ushtria bëri të ditur se kishte në shënjestër udhëheqjen e lëvizjes./AA