Zëdhënësja e fushatës së Belind Këlliçit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Silvi Bardhi në një komunikim për mediet ka deklaruar se pas 14 majit korrupsioni në bashkinë e Tiranës do të marrë fund.

 

Bardhi theksoi se në kryeqytet ka nisur shtrimi i asfaltit elektoral, nëpërmjet të cilit, sipas saj, po kryhet vjedhje.

 

Sipas saj, në rrugën Islam Alla po bëhet shtrim elektoral i një shtrese zifti zgjedhor, prej 60 milionë lekësh.

 

“Tani që po flasim, në Tiranë po bëhet një vjedhje. Rast i përsëritur për fat të keq. Bashkia prokuron miliona lekë, të taksave të qytetarëve, tek një operator, por punën e bëjnë mjetet dhe njerëzit e bashkisë. Edhe këto, me kosto që mbulohen po nga taksat e qytetarëve. Në rrugën Islam Alla, po bëhet një shtrim elektoral, një shtresë zifti zgjedhore, prej 60 milionë lekësh. Por, siç tregojnë dëshmitarët, siç duket nga këto pamje dhe foto që po bëjmë publike, punimet i bën bashkia, edhe pse paratë ja ka dhënë një subjekti. Kjo që po ndodh, është një shkelje e ligjit që bëhet në mes të ditës”, u shpreh Bardhi.