Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë vijon puna për finalizimin e fazës së parë të ndërtimit të ri, ndërsa pritet që në dhjetor të këtij viti të këtë përfunduar i gjithë investimi.

 

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi nga afër punimet për ndërtimin e maternitetit të ri.

 

“Është drejt përfundimit faza e parë e ndërtimit të ri në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, që do t’i hapë rrugë investimit në godinën qendrore, e cila do të restaurohet duke ruajtur arkitekturën historike, për të garantuar standardin më të mirë të shërbimit për nënat dhe fëmijët”, tha Rama.

 

Ministrja Manastirliu u shpreh se “punimet kanë ecur mirë dhe në dhjetor duam të kemi të përfunduar të gjithë investimin për këtë godinë”.

 

“Më pas do të hapim fazën e dytë të punimeve për restaurimin e korpusit qendror. Në pjesën e jashtme të territorit do të kryhet rikualifikimi e sheshit të spitalit për të mundësuar parkimin e ambulancave dhe mjeteve të tjera”, tha Manastirliu.

 

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po kryhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; Rikonstruksioni i plotë i godinës historike që do ruajë detajet e arkitekturës unike të stilit Litoral në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; Zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

 

Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metra katrorë, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.