Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, për herë të parë është stolisur për nder të Muajit të Ramazanit, raporton Anadolu.

Me mesazhin me drita “Urime Ramazani” dhe simbole të gjysmëhënës, dekorimet përshkojnë një pjesë të rrugës “Ibrahim Lutfiu”, nga Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Jashar Pashës e deri tek Xhamia e Madhe (Sulltan Mehmet Fatih), të cilat janë në një distacë jo më të largët se 200 metra.

Inaugurimi i dekorimit për nder të Ramazanit u bë së fundi nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava.

Tërnava këtë nismë e ka quajtur një risi të mirë në këtë pjesë të qytetit, derisa duke falënderuar kryetarin Përparim Rama, tha se vitin e ardhshëm Prishtina do të stoliset edhe më shumë.

Kryetari Përparim Rama nga ana tjetër tha se kjo pjesë e Prishtinës nga viti i ardhshëm do të gjelbërohet edhe me parqe dhe sipas tij, Ramazani i ardhshëm do të jetë edhe më i këndshëm për besimtarët dhe turistët në pjesën e vjetër të kryeqytetit.

Në fillim të muajit Ramazan u ndriçuan disa kryeqytete evropiane e botërore, ndërsa sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, për nder të këtij muaji është stolisur edhe kryeqyteti shqiptar, Tirana./AA