Gazetarja, Odeta Gjevori, e emisionit investigativ “Stop”, në një rrëfim emocionues ka ndarë momentet e vështira, pjesë e punës së saj të përditshme në terren por dhe detaje nga jeta e saj private.

 

E ftuar në tv Klan ajo kujton periudhën kur ishte profesioni ai që e ndihmoi të kalonte një humbje shumë të madhe në jetë, atë të partnerit.

 

Partneri i saj prej 10 vjetësh, Juli, humbi jetën gjatë pandemisë së Covid-19 në moshën 35-vjeçare.

 

Gazetarja rrëfen se kishte vetëm dy muaj që kishte sjellë në jetë vajzën e tyre kur Juli u nda nga jeta.

 

 

 

Odeta Gjevori: Unë isha dhe shtatzënë në atë periudhë dhe ruheshim çikë më shumë për arsye të shëndetit. Por ndonjëherë gjërat janë të caktuara nga Zoti dhe ndodhin ashtu siç ndodhën. Për ironi ka persona që nuk janë ruajtur fare ose me një shëndet të lig. Juli nuk vuante nga asnjë sëmundje, thjesht kështu ndodhi.

 

Katerina Trungu: Ai ishte tridhjetë e…?

 

Odeta Gjevori: Ai ishte 35 vjeç, kishim diferencë vetëm një vit bashkë me njëri-tjetrin. Kishim 10 vite që njiheshim…

 

Katerina Trungu: Paska qenë histori e gjatë.

 

Odeta Gjevori: Po, kemi punuar në 3 televizione bashkë sepse Juli mbulonte pjesën e teknikës  domethënë operator tek pulti, montazhier tek lajmet këtu në Klan. Në 3 televizione kemi bashkëpunuar. Ka qenë dhe e bukur sepse qenë po bashkë me njëri-tjetrin, aty ziheshim, aty pajtoheshim.

 

Katerina Trungu: 10  vite dashuri.

 

Odeta Gjevori: 10 vite, 7 vite bashkëjetesë. Pastaj nga gjithë kjo dashuri e madhe erdhi Hana, drita jonë. Hana është ai simboli i dashurisë që kisha unë me Julin, është vajza ime që është 2 vjeç e  3 muaj, është si Hanë, siç ka emrin.

 

Ermelinda Ndoja: Është forca jote më e madhe për të vazhduar…

 

Odeta Gjevori: Sigurisht, ajo ishte motivi, ishte shumë e vështirë sepse siç e tha dhe Katerina, të jesh një dyshe aq e fortë, fakti që unë jam sot deri këtu është edhe merita e Julit sepse të bësh këtë punë të vështirë Katerinë ti e di shumë mirë se sa sakrificë është. Duhet të kesh një partner i cili të kupton e para e punës dhe pastaj të të suportojë në shumë gjëra të tjera. Ka qenë pak situatë e vështirë por unë kam pasur gjithmonë mbështetjen e Julit dhe në momentin që ndodhi kjo sikur m’u prenë krahët, sikur iku gjysma më e mirë.

 

Katerina Trungu: Ti ishe në pritje të ëmbël gjatë…

 

Odeta Gjevori: Në pritje të ëmbël. Sapo linda vajzën, pas dy muajsh ndodhi fatkeqësia. Isha akoma në atë pjesën e përhumbjes, nëse do ta themi kështu, nuk isha akoma e vetëdijshme se çfarë ndodhi. Më është dashur shumë forcë që ta përballoja rikthimin në punë dhe për këtë falenderoj prapë familjen time por  edhe kolegët e mi që më sugjeruan që të vija më përpara në punë.

 

E kisha shumë të vështirë në fillim sepse mori një kthesë ndryshe jeta. Më përpara banoja këtu, tani jam kthyer tek prindërit e mi dhe duhet ta bëj për shkak të vajzës duke qenë se nuk e kam në çerdhe çdo ditë Tiranë-Elbasan. Më duhej të mësoja makinën e shumë gjëra të tjera, por asgjë nuk është e pamundur. Çdo gjë superohet, arrihet nëse e do diçka. Jemi këtu ku jemi sot.