Një 30-vjeçar është proceduar penalisht ditën e sotme pasi u kap në pikën kufitare të Kapshticës pa deklaruar sasinë e parave që kishte me vete.
Mësohet se i riu po udhëtonte me mbi 15 mijë euro në autobusin ku udhëtonte, shifër e cila u sekuestrua nga autoritetet përkatëse pasi nuk ishin deklaruar në kufi.
Njoftimi i policisë:
Kapshticë/Policia Kufitare godet një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 15 580 euro. Procedohet penalisht poseduesi, i cili nuk i deklaroi në kufi, siç e përcakton ligji.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me FRONTEX-in dhe autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të imtësishëm, në valixhet e shtetasit L. S., 30 vjeç (pasagjer në një autobus), banues në Manëz, Durrës, gjetën 15 580 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, siç e përcakton ligji.
Shuma e eurove u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga strukturat hetimore të DVP Korçë, të cilat referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për 30-vjeçarin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.