Deputeti i PD, Dashnor Sula u shpreh sot se, “para pak muajsh, debatuam në Parlament buxhetin për vitin 2023. Një nga gjërat për të cilën e kam akuzuar më shumë këtë qeveri gjatë debatit, ishte mungesa e vëmendjes dhe papërgjegjshmëria për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve për të përballuar krizën ekonomike.
“E kam përmendur disa herë se jemi të fundit në rajon për ndihmën që kemi dhënë ndaj familjeve në nevojë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Vetëm 0.3% të PBB. Në atë kohë, përgjigja që merrja me arrogancë nga qeveria dhe ministrja e financave ishte fakti se në 0.3%-ndëshin nuk llogaritej subvencionimi për energjinë”, tha Sula.
“E vërteta vonon, por nuk harron. Dhe Banka Botërore konfirmon se qeveria shqiptare është më e papërgjegjshmja në rajon në raport me ndihmën e akorduar për qytetarët e vet në përballimin e krizës. Edhe duke llogaritur subvencionimin për energjinë ndihma e akorduar përbën 1.9% te Prodhimit te Brendshëm Bruto. Edhe me këtë jemi të parafundit në Rajon”, theksoi ai.
“Shqipëria gjatë vitit 2022 ka shpenzuar për masat mbështetëse dhe për mbrojtjen sociale 0.6% të PBB-së, ndërkohë kostot për subvencionet e energjisë ishin sa 1.3% e PBB-së. Nisur nga të dhënat ndihma e shtetit shqiptar për familjet në nevojë është në total sa 1.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Sula më tej.
“Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka lënë pas vetëm Malin e Zi, ku paketa e ndihmës sociale e zbatuar në vitin 2022 në përgjigje të krizës së kostos së jetesës është sa 1.2 e PBB-së. Në rajon kostot më të larta për paketën e mbrojtjes sociale i llogarit Kosova me 4.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në total. Bosnje Hercegovina ndjek Kosovën me 3.7% të PBB-së, pasuar nga Serbia me 3.3%. Ndërkohë, paketa e mbrojtjes sociale ne Maqedoninë e Veriut llogaritet sa 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të këtij vendi. Referuar shifrave Kosova mban vendin e parë me paketën me të madhe për mbrojtje ndaj familjeve në nevojë në përgjigje të çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve gjatë vitit 2022”, nënvizoi Sula.
“Për çdo njeri që ka iluzionin se ka në pushtet një qeveri socialiste, pasi e ka vuajtur, të shoh shifrat e Bankës Botërore dhe e kujton sa është tallur kjo mazhorancë me ta”, theksoi Sula.