Sot në Tiranë zhvilloi punimet konferenca “Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri S3”.

 

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të kabinetit qeveritar, Akademisë së Shkencave, shoqatave prodhuese në vend, shoqërisë civile si dhe ekspertë të huaj të linjës, që operojnë në vendin tonë.

 

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke marrë fjalën në këtë takim, vlerësoi rolin e strategjive në zhvillimin dhe progresin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

 

Ajo tha se me strategjinë e specializimit inteligjent në Shqipëri S3, nisim një faqe të re duke hartuar një strategji të re, me një metodologji ndryshe, që do të jetë si një udhërrëfyes për qeverinë shqiptare dhe i vjen në ndihmë zhvillimit të sektorëve dhe nënsektorëve të ekonomisë në përgjigje të zhvillimeve bashkëkohore që kërkon koha, duke mundësuar progres dhe punësim për të rinjtë.

 

“Kjo strategji vjen e parashtruar nga diskutimet me grupet e interesit, Akademinë e Shkencave, aktorë të fushës së ekonomisë dhe i përgjigjet në mënyrë të specializuar çdo sektori që nga bujqësia, energjia, manifaktura, mjedisi, kultura e deri tek ekonomia blu të gjithë zhvillimit ekonomik kombëtar dhe veçanërisht punësimit mbi baza të digjitalizimit dhe inovacionit”, tha Balluku.

 

“Qeveria përkrah dhe mbështet procesin e specializimit inteligjent të Shqipërisë dhe për këtë fushë punon me ekspertë të BE-së, për hartimin e dokumentit përkatës në linjë kjo dhe me procesin e integrimit që ka nisur tashmë vendi. Ne synojmë drejtimin e investimeve në të ardhmen tek inovacioni për të zhvilluar ekonominë në mënyrë inteligjente”, deklaroi Balluku.