Po mendoni të bëni makeup sot? Shihni mirë se çfarë produktesh keni pasi disa mund t’ju shkakojnë acarim në lëkurë. Një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se furçat e grimit mund të jenë më të ndotura se një tualet, me foto mikroskopike që tregojnë mjetet e mbështjella në myk, baktere, maja dhe mikrobe të tjera.

 

“Është e tmerrshme të shohësh sasinë e baktereve që potencialisht mund të gjenden në një furçë grimi”, – tha Dr. Suhail Alam, drejtor mjekësor në Klinikën Aventus i cili kreu studimin. Studimi kishte për qëllim të tregonte se si këta aksesorë kozmetikë mund të shndërrohen në fabrika të vërteta mikrobesh nëse nuk mirëmbahen siç duhet, edhe pasi të përdoren vetëm disa herë.

 

Për të përcaktuar se çfarë tmerresh fshihen në sipërfaqen e furçës, studiuesit morën mostra nga 12 aplikues kozmetikë dhe më pas analizuan secilën nën një mikroskop. Më pas ata bënë fotot e secilës.

 

Fotot rezultuese tregojnë se mostrat strehonin 4,364 koloni bakteresh, ndërsa 11 prej furçave thuhet se ishin më të pista se një WC mesatare. Më problematiket ishin furça e rimelit me 928 njësi të kombinuara për formimin e kolonive, furça e mollëzave (697,5 njësi të kombinuara për formimin e kolonive) dhe buzëkuqit (625 njësi të kombinuara për formimin e kolonive).

 

“Edhe pasi një person përdor një furçë grimi për herë të parë, ai do të formojë koloni bakteresh”-paralajmëroi Alam.

 

“Me përdorim të përditshëm, furçat do të fillojnë automatikisht të mbledhin papastërtitë, ndotësit, vajin dhe qelizat e vdekura të lëkurës, kjo është arsyeja pse furçat e kozmetikës veprojnë si një terren mbarështues për bakteret që mund të çojnë në shpërthime dhe irritime të lëkurës”. Ai vazhdoi, “Nëse një furçë e kontaminuar bie në kontakt me syrin, kjo mund të shkaktojë infeksione ose reaksione alergjike”. Për fat të mirë, ndotja “mund të shmanget me një rutinë javore pastrimi“, sipas mjekut.

 

“Për t’i pastruar siç duhet furçat, ne sugjerojmë që furça të shkumëzohet në një pastrues të përshtatshëm të lëkurës, të masazhoni çdo qime në pëllëmbën e dorës, të shpëlani me ujë të vakët dhe më pas të shtrydhni furçën për të hequr çdo lagështi të tepërt”– tha ai.

 

Kështu që nisni punën dhe pastroni furçat tuaja.