Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, zhvilloi një takim me komunitet qytetarësh nga Lushnja, të cilët prej vitesh jetojnë në kryeqytet.

 

Këlliçi shpalosi disa nga pikat e programit të tij, për ta bërë Tiranën një qytet të jetueshëm për të gjithë banorët e saj.

 

Duke u ndalur te angazhimi për transport publik falas dhe se ky premtim do të bëhet realitet pas 14 majit, Këlliçi tha se “do ta bëj realitet për të vetmen arsye sepse besoj fort dhe jam i bindur se ky qytet nuk është i varfër, por është i vjedhur”.

 

“ Kjo çështje është vetëm çështje e vullnetit politik dhe jo financash. Buxheti i bashkisë së Tiranës sot është 240 milionë euro. Për të mundësuar autobusin falas për për 200 mijë qytetarë të Tiranës në ditë, mjaftojnë 16.5 milionë euro në vit. Vetëm 6.8% e buxhetit”-u shpreh ai.

 

Në reagim të kritikave ndaj premtimeve të tij, Këlliçi solli në vëmendje shembullin e 250 qyteteve në vende të ndryshme të botës, që sot e kanë realitet transportin publik falas.

 

“Por është një praktikë që ndiqet në 250 qytete të botës, është një praktikë që ndiqet në Tallin, në kryeqytetin e Estonisë, ndiqet në Maltë, në Luxemburg, në qytete në Greqi, në qytete në Itali, në 40 qytete në Amerikë, në qytete të ndryshme në Kanda, në vende të tjera të Europës, në Francë, që po e testojnë dhe në fakt i ka rezultuar, edhe në Belgjikë, i ka rezultuar shumë efiçente dhe e nevojshme si masë”-u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.

 

Sipas tij, nga transporti falas, ndër përfituesit më të mëdhenj do të jenë studentët.

 

“Unë jam i vendosur për ta kthyer qytetin në kushtet e normaliteti, në binarët e një normaliteti, ku nuk ka nevojë të shpikësh rrotën të japësh premtime që janë të parelizueshme. Të rrish në televizor gjithë ditën herë me përparëse duke shpërndarë pjata supe, e herë me lopatë duke mbjellë 1 milionë pemë. Ju si lushnjar jeni në krye të komuniteve nga koefiçenti i zgjuarësisë, e kuptoni fare mirë që nuk ka 1 milionë pemë të mbjellura në Tiranë, se në Berlin ka 420 mijë dhe në Milano ka 500 mijë”-tha Këlliçi.

 

Ai shtoi se Erion Veliajn se e ka kthyer bashkinë në institucion që nuk i shërben qytetarit.

 

“Që në 6 muajt e fundit të vitit 2022, ka qenë 4.5 muaj jashtë Shqipërie. Kjo doli nga të dhënat zyrtare para tre ditësh, për vet faktin se kishte marrë 11 mijë euro taksa, kishte marrë 11 mijë euro dieta nga taksat e qytetarëve të Tiranës, duke faktuar që për katër muaj e gjysmë nuk ka qenë në Tiranë, nuk i ka shërbyer kryeqytetit. Unë jam i bindur se Tirana e ka mundësinë për të ofruar më shumë shanse, oportunitete, mundësi punësimi, dhe një të ardhme shumë të mirë për të gjithë qytetarët e saj dhe mbi të gjitha për të rinjtë”-u shpreh Këlliçi.