Administratori i një call-centre në Elbasan ka rënë në prangat e policisë, ndërsa 4 punonjës do të procedohen penalisht.
Këta persona akuzohet se mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, për të investuar në tregje fiktive.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pending call”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit nëpërmjet një subjekti call center.
Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike, për të investuar në tregje fiktive, arrestohet në flagrancë administratori i një subjekti call center, si dhe procedohen penalisht 4 punonjës (operatorë) të këtij subjekti. Sekuestrohen kompjutera, USB dhe celularë që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis që iu gjet njërit nga operatorët.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan dhe strukturat operacionale të Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i hetimeve proaktive dymujore, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për një rast mashtrimi nëpërmjet një subjekti call center, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pending call”.
Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë shtetasi M. N., 26 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Sh., 27 vjeç, I. K., 26 vjeç, E. B., 28 vjeç dhe N. S., 24 vjeç, të katërt banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 5 shtetas, nëpërmjet një subjekti call center (me administrator shtetasin M. N. dhe operatorë 4 shtetasit e proceduar), në lagjen “Sul Paprri”, Elbasan, mashtronin shtetas të huaj, në mënyrë që ata të investonin para në tregje fiktive.
Në ambientet e subjektit call center janë gjetur nga shërbimet e Policisë, 3 kompjutera, 1 laptop, 2 USB dhe 6 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis që iu gjet shtetasit N. S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.