Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi dhe Leonard Thodhori i njohur edhe si “Koçole”, të dy 46 vjeç, prej shtatë ditësh rezultojnë të zhdukur në Sarandë.
Policia është vënë në alarm dhe prej disa orësh po kryen veprime të shumta hetimore përfshirë këqyrje kamerash sigurie dhe marrje në pyetje personash, kryesisht lidhje shoqërore të dy të zhdukurve, të cilët rezultojnë me precedentë të shumtë penalë.
Në vendimin e Gjykatës së Lushnjës të rreth 1 viti më parë, të siguruar sot, u vendos lirimi i Fatmir Sulovarit pasi ishte arrestuar me një sasi droge.
Vendimi zbulon se Sulovari ishte ndaluar në Lushnje pasi më parë nuk i kishte ndaluar policisë së Fierit.
“Nga aktet hetimore dërguar nga Komisariati i Policisë Lushnjë rezulton se, më datë 18.04.2022 ora 21:35 nga ana e OPGJ është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit nën hetim Fatmir Sulovari për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Arrestimi i tij është bërë pasi në datë 18.04.2022 në orën 18:20 gjatë patrullimit me mjete policie patrulla e policisë është njoftuar nga salla operative e Komisariati të Policisë Lushnjë se duhet të dislokohej pikë kontrolli në rrethrrotullimin e Savrës Lushnjë për të verifikuar dhe ndaluar një automjet “BMË’ me targa AA 722 ZU me ngjyrë gri e cila nuk i kishte ndaluar shërbimeve policore të qarkullimit rrugor Fier dhe ky automjet po vinte në drejtim të Lushnjës. Pas këtij njoftimi janë dislokuar në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Savrës”, në aksin rrugor “Fier-Lushnjë”. Gjatë kryerjes së këtij shërbimi në orën 18:55 në drejtim të rrugës Fier-Lushnjë vjen automjeti “BMË” me targa AA 722 ZU me ngjyrë gri dhe i kanë dhënë shenjë ndalimi dhe ky automjet ka ndaluar dhe në të ishte vetëm drejtuesi i mjetit, pasi janë prezantuar se kush ishin dhe arsyen e ndalimit kanë vazhduar me kontrollin e automjetit dhe nga kontrolli në sediljen e pasme pas sediljes së drejtuesit të mjetit gjendej një xhup me ngjyrë të zezë, ku nga kontrolli i këtij xhupi në xhepin “Kent” me ngjyrë të bardhë me gri e cila brenda saj u zbulua lëndë narkotike e dyshuar si “Cannabis Sattiva” të cilën ky shtetas ka deklaruar se është e tij për përdorim vetjak. Nga kontrolli i mëtejshëm i mjetit nuk janë konstatuar sende të tjera të kundraligjshme apo që lidhen me vepra të tjera penale. Shtetasi Fatmir Sulovari nuk posedonte lejen e drejtimit dhe mjeti BMË me targa AA 722 ZU, ishte në pronësi të shtetasit L. P.
Gjykata në bazë të neneve 83, 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, VENDOSI:
-Pranimin e kërkesës.
-Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personit nën hetim Fatmir Sulovari i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal .
-Caktimin ndaj personit nën hetim Fatmir Sulovari si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
-Urdhërohet personi nën hetim Fatmir Sulovari të paraqitet në policinë gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, të hënën e parë çdo muaji në orën 10:00.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Fatmir Sulovari, nëse nuk mbahet i arrestuar apo ndaluar, ose nuk është duke vuajtur ndonjë dënim për vepër tjetër penale.