Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan është zhvilluar ditën e sotme seanca e vlerësimit të masës së arrestit për të arrestuarit që kërcënuan biznesmenin Eraldo Myftaraj.

 

Tre të arrestuarit, Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç kanë dalë sot para gjykatës.

 

Prokurori Kreshnik Ajazi e cilësoi të ligjshme masën e arrestit të tyre dhe i kërkoi trupit gjykues të caktohet për ta masa “Arrest me burg”, masë që u la në fuqi nga Gjyqtari Elis Dine.

 

Këta shtetas u arrestuan pak ditë më parë pasi kishin kërcënuar me jetë biznesmenin Eraldo Myftaraj dhe familjarët e tij, që firma e tyre të tërhiqej nga një tender publik për lëndë drusore me vlerën e 1 milion eurove.

 

Gjatë kontrolleve të bëra pas arrestimit të tyre, policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.