Një makinë tip Volkswagen Polo e bardhë dyshohet se dha informacion tek vrasësit  për lëvizjen e automjetit ku udhëtonin Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha, të cilët u ekzekutuan mesditën e 17 Korrikut në mbikalimin e Fushë-Krujës.

 

Tv Klan ka mësuar se kjo makinë është fiksuar nga disa kamera sigurie teksa ka vezhguar lëvizjet e viktimave nga nje servis automjetesh në zonën e “Treshit” në Kamëz e deri në afërsi të mbikalimit.

 

Referuar burimeve nga grupi hetimor, ka dyshime se makina tip Polo e bardhë me targa shqiptare të vjedhura, pasi ka servirur informacionin tek atentatorët është larguar në drejtim të Rinasit.

 

Në këtë makinë dyshohet të kenë qenë të paktën 2 persona që kanë luajtur rolin e informatorëve të vrasësve.

 

Pavarësisht gjurmimit të disa kamerave nga ana e policisë dhe prokurorisë nuk është bërë e mundur gjetja e këtij automjeti, për të cilin nuk përjashtohet mundësia që të jetë çmontuar menjëherë pas vrasjes së 3-fishtë.

 

Grupi hetimor nuk ka mundur ende të bjerë në gjurmët e autorëe, të cilët dyshohet se janë vrasës profesionistë me pagesë./Tv Klan