Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me homologen e Kosovës, Arbërie Nagavci, të cilën nënshkroi edhe programin e financimit të projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor mes dy vendeve.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kushi u ndal te projektet e përbashkëta siç është Abetarja e Përbashkët Unike, apo teksti i Gjuha Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në diasporë.
“Ndërkohë për Enciklopedinë Shqiptare sapo ka nisur puna mes dy akademive tona të shkencave. Jemi këtu përsëri për një tjetër nismë. Është fjala për marrëveshjen e bashkëpunimit për të bashkëfinancuar projekte të kërkimit shkencor, projekte të përbashkëta mes kërkuesve tanë. Përvoja e parë në fakt ka nisur në vitin 2019, ku u financuan 10 projekte të përbashkëta, ndërkohë që këtë herë ne vijmë me një buxhet të shtuar”, tha Kushi.
Kushi theksoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi do të financohen deri në 16 projekte të përbashkëta të studiuesve dhe universiteteve të dy vendeve dhe buxheti për secilin prej këtyre projekteve shkon në një vlerë maksimale prej 20 mijë euro.
“Ne i kemi përcaktuar qartë edhe fushat prioritare që janë që nga bujqësia, siguria ushqimore, mjedisi, ndryshimet klimaterike, studimet albanologjike dhe trashëgimia kulturore e shumë fusha të tjera. Unë kam besim se këto projekte do të ndihmojnë për t’i dhënë një zë të fuqishëm kërkuesve dhe studiuesve tanë në përgjigje të problematikave që shqetësojnë shoqërinë tonë. Por mbi të gjitha do të jetë një mundësi shumë e mirë për të intensifikuar bashkëpunimin mes kërkuesve tanë, shkencëtarëve tanë por edhe midis universiteteve tona apo mes qendrave tona kërkimore shkencore. Sepse ne në fakt në Shqipëri prioritetin kryesor në arsimin e lartë kemi ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe shkëmbimet me universitetet më të mira edhe të kërkuesve tanë”, shtoi ajo.
Sipas saj, prioritet absolut është bashkëpunimi i kërkuesve dhe i universiteteve të dy vendeve me universitetet prestigjioze evropiane por edhe botërore.
“Ne vërtetë jemi shtete të vogla por ne kemi shkencëtarë të spikatur që falë programeve të ndryshme të BE-së siç është horizont 2020, por edhe Horizont Evropa, kanë arritur që ta ngrenë lart zërin e shkencës shqiptare, ta njohin atë në arën ndërkombëtare”, tha ajo.
Kushi shprehu besimin se “së bashku ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë më të mirën për arsim, kërkimin shkencor për dy vendet tona, por edhe për forcimin e bashkëpunimit”.