Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në një takim shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadoren. Audrey Glover.

 

Meta bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi shqetësimet që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal në 14 maj.

 

“Ndava me Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to”, u shpreh Meta.

 

Gjithashtu, Meta i përcolli shqetësimin për shpërdorimin flagrant, sipas tij, të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

 

“Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore”, theksoi Meta.

 

Ai tha se i kishte vënë në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

 

“Gjithashtu ndava me Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit”, deklaroi kreu i PL-së.

 

Meta tha se i kishte shprehur ambasadores Glover gatishmërinë e opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.